As sot s’ka takim Kurti – Mustafa

Për sot nuk është planifikuar ndonjë takim në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit e Isa Mustafës, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, merr vesh Gazeta Express.

Që nga dita e hënë, kur edhe ishte thënë se VV e LDK do të finalizonin marrëveshjen për koalicion, por, që ndodhi e kundërta, nuk ka pasur takim në mes të dy partive që po tentojnë të formojnë qeverinë e ardhshme.

Të hënën, LDK i vuri në tavolinë të diskutimit, disa kushte partisë së Albin Kurtit, e njëra ndër to ishte edhe pozita e presidentit. Përveç kësaj, Isa Mustafa kërkoi hise të barabartë me VV-në edhe në ministri. Si zgjedhje të parë e patën Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Derisa Vetëvendosje nuk i pranoi këto kushte që i pati LDK’ja, Glauk Konjufca, njeriu i dytë më i votuar në VV tha në emisionin Pressing në T7 se nuk negociojnë për presidentin, e bëri të ditur se MPB-ja ishte dikaster për të cilin kishin premtuar edhe gjatë fushatës.

LDK deklaratat e tij i konsideroi si ofendime, e për ditën e djeshme u anulua takimi i planifikuar Kurti – Mustafa. Kjo u pa edhe si shenjë që koalicioni po shkonte drejt dështimit.

Mirëpo, të martën, partia e Isa Mustafës lëshoi edhe një komunikatë për media ku potencuan se me VV-në do të vazhdojnë diskutimet për koalicion, e që nuk iu nënshtrohen presioneve publike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkë qeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, u bë e ditur.

Pas kësaj komunikate, edhe nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri hedhi poshtë zërat se po dështon lidhja e një koalicioni qeverisës me VV-në.

“Ne kemi punuar më shumë se dy vite për të ndërtuar kapitullin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK’së dhe LVV’së. Keni durim. Po e ndërtojmë koalicionin në mirëbesim”, ka shkruar ai.

Ndryshe, raportohet se Albin Kurti do të marrë pjesë sot në konferencën  mbajtur në Berlin, “Ballkan Dialogues” (Dialogët Ballkanas), organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim”.