Qëndrimet e fuqive botërore rreth asaj se si duhet zgjidhur problemi Kosovë-Serbi

Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka treguar se fuqitë perëndimore dhe Kina e Rusia nuk ndajnë të njëjtin mendim se si duhet të zgjidhet problemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Moska dhe Pekini kanë insistuar në rezolutën 1244, ndërkohë përfaqësuesit e SHBA’së dhe Gjermanisë e Franca kanë qenë plotësisht në krah të Kosovës dhe në mbështetje të shtetësisë, duke i kërkuar Serbisë që të ndalë fushatën e egër kundër pavarësisë së Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Këshill të Sigurimit, Christoph Heusgen, madje ishte përplasur ashpër me Ivica Daçiqin, duke ia përmendur udhëtimet në Karaibe për të lobuar kundër shtetësisë së Kosovës.

Hesugen i ka thënë Daçiqit që ato para të taksapaguesve të Serbisë do të mund t’i shpenzonte më mirë, se sa për një gjë të tillë.

Uashingtoni dhe Londra gjithashtu kanë insistuar se Beogradi duhet të ndalë kampanjën për tërheqjen të njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa sa i përket vendimit për taksë ndaj produkteve serbe, të gjithë kanë qenë të një qëndrimi që taksa duhet të hiqet për të rinisur dialogun e bllokuar qysh nga nëntori i vitit të kaluar, shkruan Gazeta Express.

Në raport me Kosovën, qëndrimi i Moskës mbetet i pandryshueshëm. Sipas ambasadorit rus në KS, “Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme në përputhje me Rezolutën 1244:.

Mesazhi i Parisit nga Këshilli i Sigurimit ishte që Franca është e bindur për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës, duke shtuar se të dy vendet duhet të fuqizojnë sundimin e ligjit, dhe se normalizimi i raporteve është një kusht për integrimin e tyre në Bashkim Evropian.

Ngjashëm me Moskën, ka qenë edhe qëndrimi i Pekinit zyrtar. Sipas tyre Rezoluta 1244 është një bazë e rëndësishme mbi të cilën duhet të kërkohet zgjidhja për çështjen e Kosovës. Përfaqësuesi i Kinës në Këshill të Sigurimit  ka thënë se shteti i tij respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, duke bërë thirrje për Prishtinën që të heq taksën dhe të implementojë marrëveshjet e Brukselit.

Ndërkohë shtetet perëndimore në Këshill të Sigurimit vlerësuan zgjedhjet e Kosovës të mbajtura më 6 tetor, ndërkohë kanë përmendur presionin ndaj serbëve në veri për të votuar Listën Srpska të cilën e mbështet Beogradi.