Një tjetër e përdhunuar gjatë luftës del hapur, Shyhrete Sylejmani kërkon drejtësi

Shyhrete Tahiri-Sylejmani nga Gjilani, është viktima e dytë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që ka dalë publikisht për të kërkuar drejtësi.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovës Shyhrete Tahiri-Sylejmani ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi për atë që i ka ndodhur.

“Sot jam këtu të ndaj me ju dhembjen që kam në shpirt. Përfaqësoj të gjitha nënat, vëllezërit dhe bijat që ndjejnë atë dhembje që kanë. S’është e lehtë. Jam këtu të kërkoj drejtësi”, u shpreh ajo, raporton kp.

Kurse drejtoresha e Qendrës Kosovare Për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti kujtoi se si as 20 vjet pas luftës, askush nuk është dënuar për krimet e luftës.

Ajo ftoi institucionet e vendit që të kenë prioritet të tyre këtë çështje.

Shyhrete Tahiri-Sylejmani që është nga Gjilani bëhet viktima e dytë pas Vasfije Krasniqit-Goodman që kërkon publikisht të dënohen dhunuesit e saj.