PDK-së NUK I NDIHMOI TRANSFORMIMI. CKA DUHET TASH?

Përtej transformimit të proklamuar në Kuvend dhe platformës elektorale antikorrupsion, nga PDK kërkohet distancim me veprime konkrete nga segmentet e kriminalizuara.

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Humbja e PDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ishte e pritshme. Humbja ishte e pritshme për dy arsye kryesore, e para, nga konsumimi i gjatë në pushtet dhe e dyta nga satanizimi që i është bërë në vazhdimësi e edhe në fushatë nga të gjitha partitë rivale. Sa i përket qëndrimit të gjatë në pushtet (2007-2019) ai vërtet do ta konsumonte çdo parti, veçmas në një realitet shoqëror, ekonomik e politik turbulent sikundër është Kosova, një shtet i papërfunduar, i varfër, i traumatizuar nga lufta, i izoluar nga bota dhe nën presione permanente jo vetëm të armiqve, po edhe të sponsorëve të vet. Por, përtej këtij sfondi të pavaforshëm për një qeverisje të suksesshme, qeverisja e PDK- së është karakterizuar edhe nga aspekte negative të brendshme, siç janë korrupsioni, nepotizmi, kapardisja e pushtetarëve, shpërdorimi i fondeve publike, klientelizmi. Pjesa më morbide e këtyre aspekteve negative, kanë qenë disa figura emblematike të saj, të ashtuquajturit njerëz të fortë, të cilët në shumë raste janë sjellë sikur janë mbi ligjin, që nga privatizimet, punësimet e deri te drejtësia. Figurat e tilla, duke e pasur prestigjin nga lufta, e kanë keqpërdorë PDK-në si parti, duke e paarqitur në sytë e qytetarëve si abuzuese dhe dhunuese të interesave të tyre. E drejta, këto figura kanë qenë jo vetëm mbi ligjin po edhe mbi PDK-në, sepse ajo nuk ka pasur fuqi ose vullnet që t’i mbajë nën kontroll. Por në të dyja rastet, dëshpërimi i qytetarëve i është faturuar PDK-së. Dhe s’ka si të jetë ndryshe logjikisht, pasi partia duhet t’i imponojë statutin, programin dhe normat e sjelljes për të gjithë anëtarët, e jo t’i seleksionojë në modelin cinik orvelian.
Në fakt, në emër të PDK-së ka sunduar një establishment, gjithsesi i përbërë nga disa figura të PDK-së po edhe të disa figurave të tjera, të futur aty nga sfera e biznesit, e medies dhe e drejtësisë. Nëse mund të thuhet se shteti ka qenë i kapur, ai ka qenë i kapur prej atij establishmenti. Por, sërish fatura i ka shkuar në tavolinë PDK-së, për faktin që nuk ka pasur fuqi t’i bëjë zap ata që kanë keqqeverisur në emër të saj. Ndërsa, rivalët politikë këtë gjendje e kanë shfrytëzuar për ta portretizuar PDK-në me ngjyrat më të errëta.

Nga ana tjetër, kolalicioni PAN ka qenë vendim katastrofal i PDK-së, sepse në qeverinë Haradinaj, PDK ka qenë më shumë patericë e kryeminstrit se sa partia më e madhe e koalicionit qeverisës. Edhe në këtë rast dështimi i është faturuar si partia më e madhe e koalicionit qeverisës. Realisht, vetë fakti që e ka toleruar atë model qeverisjeje, i cili i ka përkeqësuar edhe raportet me aleatët strategjikë të Kosovës, e ka bërë PPDK-në përgjegjëse.

Në këso rrethanash, provokimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga vetë kryeministri, PDK-në u duk se e zuri të hutuar. Por, gjatë fushatës ka pasur një konsolidim të çuditshëm, gjë që dëshmon se ajo ka struktura dinamike, ka elektorat stabil dhe mundësi edhe më të mëdha. Mirëpo, ajo që i duhet pas këtij rezultati, ku doli partia e tretë, është diçka më shumë se sa tranformimi që ka realizuar në Kuvendin e saj të fundit: PDK-së i duhet distancim i plotë dhe i sinqertë nga sjelljet brutale dhe joligjore të disa prej eksponentëve të saj kryesorë në arsim, në ekonomi dhe në drejtësi. Fjala vjen, ndikimin okult dhe joligjor në universitet publike, ku njerëz të identifikuar me PDK-në, zgjedhin dekanë, rektorë e administratorë për qejfet e veta. Nëse nuk e çmonton vetë strukturën e tillë okulte, nuk do të jetë e besueshme platforma elektorale e Kadri Veselit për luftimin e korrupsionit dhe të nepotizmit. Pra, përtej transformimit të proklamuar në Kuvend dhe platformës elektorale antikorrupsion, nga PDK kërkohet distancim me veprime konkrete nga segmentet e kriminalizuara. Evokimi i bëmave të tyre ia ka shkaktuar humbjen, më shumë se sa rivalët. (8 tetor 2019)