SKEMA E PRISHUR NGA LARGIMI I BOLLTONIT, E MORI ME VETE EDHE METJU PALLMERIN

Shkruan: Milazim Krasniqi

Lidhur me emërimin e ambasadorit Riqard Grenell si emisar special të presidentit Tramp, në vend të emisarit të mëparshëm, Metju Pallmerit, tashmë janë dhënë shumë komente e vlerësime kundërthënëse. Kësodore, Daniel Serveri e ka quajtur emërimin si vendim bizar. Habi kanë shfaqur edhe Florian Bieber dhe Tim Xhuda, ndërsa Xhozef e ka vlerërsuar si vendim të duhur. Presidenti i Serbisë ka shprehur çudi, ndërsa vendimin e ka përshëndetur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.


Mua më duket se emërimi i Grenelit ja një shpjegim logjik: eliminimi i ndikimit të Xhon Bolltonit. Sikundër dihet, Bolltoni pati shpallë në Kiev të Ukrainës, mundësinë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë e Kosovës. Metju Pallmeri ishte i ngarkuar me zbatimin e asaj politike, për çka ka dhënë edhe deklarata bukur eksplicite. Në fakt, skema ka qenë kjo: Kameron Manter ka qenë propozues i projektit të shkëmbimit të territoreve, me projektin e hartuar në Institutin “Lindje-Perëndim”, Xhon Bolltoni i ka miratuar disa nga elementet kryesore të atij projekti dhe Metju Pallmerin e ka ngarkuar që ta implementojë në terren.


Me rënien e Bolltonit, skema u prish. Tash kërkohen modalitete të reja, me njerëz të tjerë. Pra, gjasat janë se është konsumuar-kompromentuar ideja e shkëmbimit të territoreve dhe është hequr dorë prej saj. Tash mund të tentohet të organizohet një konferencë e re për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës e Serbisë, ku emisar do të kenë edhe shtete të tjera, ngjashëm me procesin e Vjenës. Dhe në vend të idesë së shkëmbimit të territoreve, do të jetë ideja e një entiteti serb në veri. Kjo ide është më afër establishmentit gjerman, gjë që mund të shtyhet përpara nga bashkërendimi i ambasadorit amerikan në Gjermani me qeverinë gjermane. (5 tetor 2019)