Palmer shprehet i bindur për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi, kërkon pezullimin e taksës

I dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka qëndruar për vizitë në Mal të Zi.

Nga atje, Palmer ka thënë se është i bindur se do të arrihet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.

Për ‘RTCG’ të Malit të Zi, Palmer ka deklaruar se bisedimet mes të dyja vendeve duhet të jenë më serioze dhe të çojnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ai ka theksuar se vendi i tij do ta përkrahë qeverinë e Kosovës e cila është e përkushtuar në dialog duke shtuar se Rusia po e dëshiron një rajon të bazuar në trazira.

Në këtë kontekst, Palmer tha se arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi do të ishte shumë e rëndësishme për rajonin pas rritjes së ndikimit rus në Ballkan.

Për të arritur një gjë të tillë, Palmer shtoi se duhet të pezullohet taksa.

“Një nga qëllimet tona kryesore është të mbështesim formimin e një qeverie në Kosovë e cila është e angazhuar për dialog, që do të thotë pezullimin e taksës dhe kthimin në tryezën e bisedimeve”, tha Palmer.