Vdes njëri nga katër të plagosurit në Prishtinë

Njëri nga katër personat e plagosur te Lagjja e Spitalit ka ndërruar jetë.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar për Express zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.

“4 persona kanë ardhur në emergjencë. Përkundër kujdesit maksimal nga stafi mjekësor, një ka vdekë, nuk ka arritë me mbijetu. Tre të tjerët janë duke u ekzaminuar nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente”, ka thënë Fazliu për Express.

Rastin për Express e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore të cilat kanë hasë në katër persona të plagosur. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Për çdo detaj rreth rastit do të njoftoheni me kohë”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.