Kosnett thotë se është ekstraduar një i arratisur nga Kosova për gjykim në SHBA

Sot për herë të parë ka filluar zbatimi i Marrëveshjes për Ekstradim me SHBA-të.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka njoftuar se sot është ekstraduar një person i arratisur nga Kosova për gjykim në SHBA.

Kosnett përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Twitterit ka shkruar se sot është zbatuar për herë të parë Marrëveshjen për Ekstradim i nënshkruar në qershor mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Në qershor, SHBA-ja dhe Kosova përfunduan Marrëveshjen për ekstradim. Sot e zbatuam atë për herë të parë për të kthyer një të arratisur nga Kosova në gjykim në SHBA. Kur e bëjmë sundimin e ligjit një prioritet të përbashkët, kriminelët përballen me drejtësinë dhe të dy shtetet janë të sigurta”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Theksojmë se më 13 qershor të këtij vitit Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe zëvendës ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, kanë nënshkruar protokollin e instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.