Veseli, QUNIT-it: BE-ja të ndalojë përpjekjet e Serbisë për kolonizim si dhe të dënojë kriminelët serbë të luftës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i është përgjigjur letrës së lëshuar sot nga shtetet e QUINT-it.

Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se mirëpret ndihmën e shteteve Perëndimore për dialogun, mirëpo ka kërkuar nga BE-ja që të parandalojë tentimet serbe për destruktivitet në Kosovë.

Kreu i Kuvendit ka pranuar se Kosova ka arritur pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin.

“Ne duhet t’i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë. Prandaj, mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e Dialogut. Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Veselit një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit, është “nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme”.