Specialja nuk dërgoi vetëm katër ftesa herën e fundit, të tjera nuk u bënë publike

Gjykata Speciale ka filluar valën e re të ftesave për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ftesat e fundit kanë përfshirë edhe pjesëtarë të UÇK-së me profile të larta siç ishin Ramush Haradinaj e Jakup Krasniqi.

Së bashku me ftesat për Haradinajn e Krasniqin, nga Specialja u ftuan edhe ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe këshilltarit të presidentit të Kosovës, Bislim Zyrapi.

Ndërkohë, Gjykata Speciale për intervistim në Dhomat e Specializuara ka ftuar edhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ftesa të cilat nuk janë bërë publike.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i cili tha se ftesa kanë ardhur nga e mërkura e javës që shkoi.

Ai ka pranuar se kanë ardhur edhe më shumë ftesa por të cilat nuk janë bërë publike deri më tani.

“Ftesa të reja kanë ardhur nga e mërkura së bashku me këto 4 ftesa që janë bërë publike”, tha Gucati, duke mos përmendur numër.

I pari i veteranëve ka mohuar gjithashtu që pritet se këtë të premte të ketë ftesa të reja siç është u raportua më parë nga disa media duke cituar vet Hysni Gucatin.

“Nuk është e vërtetë ajo që raportuan se kam thënë se të premten do të vijnë ftesa të reja. Unë kam thënë se nga e premtja kanë ardhur ftesa, jo se do të vijnë të premten”, tha Gucati për lajmi.net.

Vlen të theksohet se kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka udhëtuar sot për në Hagë ku nesër do të intervistohet në Dhomat e Specializuara në cilësinë e të dyshuarit.

Edhe kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën dhe ish-zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi nesër do të paraqitet në Hagë.

Ndërkohë, avokatët e akredituar nga Specialja kanë thënë sot për lajmi.net se hetimet nga Gjykata Speciale kanë përfunduar dhe pritet që së shpejti të ngritën aktakuzat.