Presioni i SHBA-së mund ta anulojë mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

Pas letrës së dorëheqjes në Kuvend dhe Presidencë të Ramush Haradinajt, kanë nisur të rrjedhin afatet ligjore për caktimin e mandatarit tjetër ose shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Partitë politike në vend tashmë kanë mobilizuar shtabet zgjedhore dhe janë deklaruar se janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por sa janë mundësitë e krijimit të një qeverie teknike?

Njohës të zhvillimeve politike në vend, duke folur për lajmi.net kanë thënë se presioni ndërkombëtar mund të qoj në krijimin e një qeverie teknike. Ndërsa partitë politike janë deklaruar kundër një qeverie të tillë.

Analisti politik, Imer Mushkolaj ka thënë për lajmi.net se edhe pse partitë politike janë deklaruar kundër, kjo varët shumë edhe nga presioni ndërkombëtar.

Ai ka thënë se presioni i SHBA-ve është shumë i madh me idenë se nëse shkohet në zgjedhje edhe deri sa të krijohen institucionet e tjera e tjera, humbet shumë kohë për dialogun.

“Pavarësisht se janë deklaruar kundër, varet shumë prej presionit ndërkombëtar. Presioni sidomos i SHBA-ve është shumë i madh me idenë se nëse shkohet në zgjedhje edhe deri sa të krijohen institucionet e tjera e tjera, humbet shumë kohë për dialogun atëherë mundet me ndodhë me qenë një Qeveri nuk e kisha quajtur gjithëpërfshirëse për shkak se s’besoj që Vetëvendosje do të jetë pjesë e saj. Por një qeveri me një kandidat që mund të mos i takoj fare politikës që mbështet nga partitë politike në Kuvend ose nga shumica e partive politike. Me këtë logjikë mundet me pas për shkak se të mos  harrojmë se nëse zgjedhjet mbahen po supozojmë në shtator deri sa të krijohen institucionet e reja e deri sa të rifilloje dialogu mundet me qenë fundi i vitit ose fillimi i vitit të ardhshëm e në fillim të vitit të ardhshëm Serbia i ka zgjedhjet edhe veç zgjatet edhe më tej”, ka thënë Mushkolaj.

Tutje ai ka thënë se nga rasti i ish-presidentes Jahjaga, nëse është në interes shumë të madh të SHBA-ve vazhdimi i dialogut edhe nëse partitë pulitke nuk arrijnë marrëveshje, atëherë mundet me ardhë edhe një propozim për një qeveri teknike.

“Prapë po them varet shumë nëse rifillimi i dialogut është prioritet i SHBA-ve edhe sa mund të jetë presioni i fortë që mund të çohet deri në fund ky mandat që ka mbetur në gjysmë dhe atëherë mundet me pas  ose me ekzistu opsione tjera sikurse ky i një Qeverie teknike. Edhe ne e dimë që edhe prej rastit të ish-presidentes Jahjaga që nëse është në interes shumë të madh të SHBA-ve vazhdimi i dialogut edhe nëse partitë politike nuk arrijnë me u marrë vesh atëherë mundet me ardhë edhe një propozim i tillë”, ka thënë Mushkolaj.

Kurse, analisti Rasim Alija ka thënë se nuk ka vullnet të partive politike për një qeveri teknike.

Ai ka thënë se vetëm PDK, do të mund të pajtohej me një qeveri teknike.

“Për të pas qeveri teknike duhet pajtuar të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në kuvend. E vullneti për qeveri teknike nuk ekziston. Partitë opozitare që moti kanë qenë  me përpjekjet që vendi të shkoj në zgjedhje, ish-kryeministri në letrën e dorëheqjes ka bërë thirrje për zgjedhje të reja. Në fakt vetëm PDK, do të mund të pajtohej me një qeveri teknike dhe do ti konvenonte. Subjektet tjera do të tentojnë që të rrisin votën e tyre, veçanërisht, partitë që kanë qenë në opozitë”, ka thënë Alija.

Sipas tij, qeveria teknike do të shtynte ambiciet e opozitës për të qeverisur me vendin.

“Qeveria teknike do të shtynte ambiciet e opozitës për të qeverisur me vendin, dhe do të mund të ndryshonte edhe momentumet politike në disfavor të subjekteve opozitare. Në këto rrethana qeveria teknike duket opsion i pamundshëm”, ka thënë Alija.

Në anën tjetër, krerët e partive politke në vend janë deklaruar kundër qeverisë teknike.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka thënë dje se partia e tij nuk do ta pranojë një Qeveri teknike apo të përkohshme.

“Në rrethanat e tashme Kosova është duke shkuar në zgjedhje, veç ka filluar procesi për zgjedhje, nuk ka Qeveri teknike, e dinë krejt partitë pse, pra është një kontest i hapur në tema të rënda edhe [përgjegjësinë duhet me e delegu qytetari, e jo ma ne njëri-tjetrit, sepse dihet si ka shkuar procesi”, ka thënë ai.

Se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme pas dorëheqjes së Haradinajt e ka thënë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Vesei.

Veseli gjatë ditës së djeshme ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, madje tha se ato janë të pashmangshme.

“Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje, kurdo që caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet tash është vetëm koha kur ato duhet të mbahen. Për këtë, besoj se do të kemi konsulta edhe me partnerët e koalicionit të deritashëm dhe me partitë tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi”, deklaroi dje Veseli.

Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka përjashtuar mundësinë për qeveri teknike.

Ai përmes një postimit në Twitter ka thënë se zgjedhjet janë të domosdoshme edhe për legjitimitet edhe për ndryshim.

“Nuk ka arsye për qeveri teknike. Ne aspektin demokratik të legjitimitetit, zgjedhjet janë të domosdoshme. Edhe për legjitimitet edhe për ndryshim”, ka shkruar ai.

Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kundërshtuar idenë që vendi të bëhet me qeveri teknike, duke thënë se duhen zgjedhje sa më parë.

“Improvizimet e tilla nuk janë zgjidhje. Por janë problem. Nuk i duam problemet”, ka deklaruar Kurti.

Edhe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media, ka deklaruar se vendi do të shkojë në zgjedhje dhe se partia e tij nuk pranon qeveri teknike.

“Nga sot vendi është në zgjedhje” tha Mustafa, duke shtuar se “qeveria teknike është ofenduese për Lidhjen Demokratike të Kosovës”.