Haziri: Pasi ta zgjedhim Kryetarin e LDK-së, PAN-it ia tregojmë vendin

Në zgjedhjet e fundit lokale, Lutfi Haziri, ia ka rikthyer Gjilanin LDK’së, ndërkohë në zgjedhjet e brendshme partiake, që pritet të mbahen gjatë këtij viti, ai do të synojë të marrë postin e të parit të partisë. Në një intervistë për Gazetën Express, Haziri ka folur për temat aktuale politike, që nga rrahjet brenda strukturave të partisë së tij, keqqeverisja e deri tek paqartësia e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

 

Haziri thotë se përgjegjësia për incidentet brenda LDK’së u përket degëve, duke treguar se i kanë identifikuar personat të cilët kanë shkaktuar incidentet dhe se vendimin për ndëshkim ose jo të tyre thotë se do ta marrin kryetarët tashmë të zgjedhur të degëve.

I pyetur rreth mos ndërrimit të disa figurave të vjetra të LDK’së nëpër degë të ndryshme, siç është rasti i Istogut të Haki Rugovës, Lutfi Haziri thotë se është puna e tyre që i mbanë në ato poste, dhe se ata nuk mund të largohen me pretekstin e ripërtëritjes së degëve.

Për garën e të parit të LDK’së, Haziri thotë se përkrahë një marrëveshje politike, e cila do të ruante unitetin e partisë, ndërkohë për mënyrën e votimit, thotë se është çështje procedurale. Haziri nuk ka pranuar t’i komentojë kritikat e Donika Gërvallës drejtuar Isa Mustafës.

Sa i përket rrëzimit të Qeverisë, Haziri thotë se ende vlenë oferta e bërë me 24 maj të vitit të kaluar për një marrëveshje të të gjitha partive politike, për ta caktuar një datë që do t’iu konvenonte të gjithëve, megjithatë thotë se mocioni për rrëzimin e Haradinajt është i pashmangshëm dhe se pas zgjedhjeve të brendshme në LDK, do t’ia tregojnë vendin PAN’it.

Ai thotë se përgjegjësia për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës përgjatë kësaj qeverisje të PDK’së-, AAK-së dhe NISMA’së, i faturohet Kadri Veselit si kryetar i këtij koalicioni.

Skandalin në të cilin është përfshirë kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, me dy komikët rusë, Haziri thotë se është një plan i agjencive ruse, ndërkohë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thotë se është në kaos total.

Sipas tij në rast se nuk përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas shtatorit, procesi do të degradohet dhe do të kthehet në pikën zero.

Gazeta Express: Deri ku ka shkuar procesi i brendshëm zgjedhor në LDK, kur potencialisht mund të mbahet Konventa, a mund të ketë një përshpejtim të procesit?

Lutif Haziri: Ne jemi në mbyllje të fazës së dytë të procesit zgjedhor në LDK, që përfshinë të gjitha degët brenda dhe jashtë Kosovës. Pritet që të përfundohet me Lipjanin, Vushtrrinë, Lipjanin dhe Prishtina III, ku do të zgjedhën 355 përfaqësues politikë të LDK’së, në delegim për Kuvendin Qendror të LDK’së, Kuvend që do të ketë karakter zgjedhor dhe natyrisht do të zgjedh trupat dhe udhëheqjen për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar. Procesi në tërësi ka shkuar mirë, hiç katër incidentet që kanë ndodhur si pasojë e menaxhimit jo të mirë, si pasojë e një rivaliteti më të ashpër, dhe si pasojë e ndërhyrje së militantëve të partive tjera në proces zgjedhor. Por, në përgjithësi ka qenë Kuvend, i cili ka caktu ndryshime strukturore dhe pritet që të rrumbullakohet gjatë këtyre ditëve.

Gazeta Express: Kush është përgjegjës për incidentet që kanë ndodhur nëpër nëndegë dhe degë?

Lutfi Haziri: Përgjegjësia direkt u takon degëve, sepse ato menaxhojnë procesin në nëndegë, nuk ka intereferenca dhe ndërhyrje të autoriteteve qendrore. Sepse degët janë përgjegjëset kryesore. Në këto 4 nëndegë që janë shënu incidente, janë pasojë sipas mendimit tim, sepse LDK’ja do ta bëjë vlerësimin pas procesit, ka të bëjë me mos menaxhim të mirë dhe rivalitet të ashpër në disa raste deri në mos durim.

Gazeta Express: A i keni identifikuar këta persona dhe a do të merrni ndonjë masë ndëshkuese pas ristrukturimit të partisë?

Lutfi Haziri: Do të jetë në kompetencën e plotë të kryetarëve të zgjedhur. Sepse tashmë në Mitrovicë apo edhe në komuna tjera i kemi kryetarët e zgjedhur. Kryetarët e zgjedhur apo të rizgjedhur janë përgjegjës të drejtpërdrejtë në sanimin dhe izolimin e këtyre rasteve me pasoja, sepse anëtarësia nuk guxon me u fërku për interes të funksionarëve në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë.

Jemi parti që e kemi jo vetëm atributin por edhe kulturën e partisë  tolerancës edhe të  demokracisë së brendshme, dhe nuk guxon askush me na prek ne sedrën tonë, sepse këtu lëndohemi më së shumti. Ky ka qenë qëllimi më i madh, që me lëndu aty ku LDK’së i dhemb më së shumti.

Gazeta Express: Pse mendoni që është rritur kaq shumë rivaliteti në mes strukturave të LDK’së?

Lutfi Haziri: Rivaliteti është i natyrshëm, sepse zgjedhjet pa rivalitet dha pa kandidatura nuk kanë kuptim të them të drejtën, por jo deri në atë shkallë, që anëtari dhe votuesi i LDK’së me u fërku me kolegët dhe bashkërpatiakët e vetë. Është natyrë e zgjedhjeve ndoshta. Me e heq atë incidentin e randë e të dhimbshëm të vitit 2006, ne është dashtë me punu shumë këto 12 vjetët e fundit, për me e tejkalu atë plagë që është shkaktu, plaga e ndarjes së dhimbshme.

Gazeta Express: A mendoni se do të ndodhnin këto incidente, nëse LDK’ja do ta kishte pasur një lider që është më i gjallë dhe shumë aktiv dhe në kontakt me degët e partisë?

Lufti Haziri: Nuk ka të bëjë me rolin e kryetarit të LDK’së, sepse ka pasur të bëjë me kandidaturë tipike lokale. Natyrisht kjo që u atribuohet kryetarëve të degëve. Ata duhet ta kenë këtë kujdes. Sepse ata janë të deleguar. Është përgjegjësi totale e kryetarëve të degëve.

Gazeta Express: Megjithatë z.Mustafa në reagimet që i ka pasur, gjithmonë ka hezituar të marrë përgjegjësinë siç e keni marrë ju, ai gjithmonë ka aluduar që një palë e tretë është përpjekur me i prish zgjedhjet e LDK’së?

Lutfi Haziri: Është fakt, qëndron shumë fakti që kryetari e ka thënë, edhe kryetarët e degëve. Sepse ne kemi pas ndërhyrje të procesit nga militantë të partive. Janë identifikuar edhe nga ne, edhe nga policia e shtetit. Raportet do të zbardhen herët a vonë në procedurë , do të zbardhen të gjitha, do të dihet saktë. Por krejt kjo ka të bëjë me rregullshmërinë e procesit. Dikush dashti me na lëndu në kulturën tonë, në atributin tonë kryesor, që është durimi politik dhe toleranca. Por tashmë procesi po mbyllet, Besoj shumë që Lipjani, Vushtrria, Ferizaj dhe Prishtina do ta mbyllin, dhe do t’i japin mundësi organizimit të Kuvendit të 9-të zgjedhor të LDK’së, sepse jemi në vigjilje të 30 vjetorit. Nuk është përvjetor i vogël për askënd në Kosovës, sepse 30 vjet lëvizje politike, është partia e parë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, si alternativë politike e dalur nga një sistem dhe nga një shtet që ka qenë me një parti dhe një mendësi.

Gazeta Express: Në disa degë janë konfirmuar njerëz që i kanë themeluar ato degë janë konfirmuar në kryet të degës, siç është z.Haki Rugova. Ka pasur pakënaqësi në degën e Istogut dhe një anëtar shumë i votuar është larguar, shkaku që z.Rugova është rizgjedhur. A mendon që LDK’së i është dashtë një rinim i kryetarëve të degëve?

Lutfi Haziri: Po në përgjithësi procesi ka sjellë ndryshime. Po mos harroni, në politikë suksesi të mbanë, suksesi dhe rezultati zgjedhor. Edhe z.Rugova, Veliu e Imri Ahmeti apo Gaz Muhaxheri, janë në LDK, edhe në Komuna falë mbështetjes së qytetarëve. Shumica prej tyre, janë përtej partisë, sepse janë zgjedhur pa balotazh. Asnjëherë nuk mund të lakohen emra që kanë sjellë rezultat dhe sukses në LDK, në emër të ndryshimit apo të reformave. Pjesë e proceseve për ndryshim duhet të jenë ata që s’kanë rezultat e s’kanë sukses, që nuk kanë mund me e mbërri besimin dhe objektivat e LDK’së, por edhe përtej LDK’së. Sepse në nivele të përfaqësuesit të Qeverisë nesër, në momentin që e ndërron një besim qytetar, atëherë jë përfaqësues shtetëror dhe jo partiak.

Gazeta Express: Sa u përket degëve që janë jashtë Kosovës, e kemi parë një shpërthim të zonjës Donika Gërvalla, e cila i kishte thurur disa kritika mjaft të ashpra për kreun e partisë?

Lutfi Haziri: Unë nuk i komentoj deklaratat e Donikës, e as të autoriteteve që janë amblemë e LDK’së. Edhe kritikat edhe pakënaqësitë, edhe vlerësimet e mbështetjen, ajo e ka vendin dhe rolin e vetë, kështu që secili prej neve mbetet me pa qëllimin e asaj deklarate. Përtej  kësaj LDK duhet të vazhdojë ta ndërtoj unitetin, kjo është me rëndësi.

Gazeta Express: Kur pritet që përfundimisht të mbahet Konventa Zgjedhore  dhe sa i përket mënyrës së votimit, a e mbështesni që të jetë me aklamacion, apo përkrahni një votim që do të jetë me votë të fshehtë e ku do të marrin pjesë më shumë se dy kandidatë?

Lutfi Haziri: Tash Lipjani, Ferizaj, Vushtrria dhe Prishtina III janë katër degët e funti që e mbyllin procesin, dhe japin mundësinë që kryetari i partisë në konsultim me kryesinë ta thërras Kuvendin, sa më shpejtë që është e mundur. Pritet që me ndodh gjatë korrikut e gjithë mbyllja e procesit.

Pjesa tjetër është procedurale. Unë e mbështes një angazhim për marrëveshje politike, që na e ruan demokracinë e brendshme, e ruan deri në fund demokracinë e brendshme, por që i jep mundësi ndërtimit të unitetit politik dhe përfaqësimit sa më të mirë të LDK’së, sepse ne rival i kemi PAN-in, dhe nuk e kemi dikë  brenda neve. Rivalitetin e kemi përtej LDK’së, jo brenda LDK’së. Ajo që zhvillohet nesër garë e LDK’së në nivel degësh dhe qendror, është vetëm rrugë për me u zgjedh njëri prej nesh, i cili renditet i pari, ndërsa tjerët mbesin i dyti i treti. Nuk është kjo logjikë përjashtimi, është logjikë e afrimit të njerëzve. Kështu që gjithçka që ndodh është çështje procedurale. Por votimi, cfarëdo që vendos Kuvendi, qoftë me votë të msheft, që LDK’ja e ka provu gjithmonë. Ne jemi partia e parë që e kemi vendos standardin e votës së msheftë në vitin 2006, karshi Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit, dhe në pjesën e fundit ai Kuvend është mbyllë me pasoja fatkeqësisht, në pjesën e fundit. Dhe Isa Mustafa kundër Fatmir Sejdiut është mbyllë me sukses të plotë. Janë shtri duart, dhe janë mbajt fjalët. Sepse demokracia ka vendos. Dhe në rastin e tretë sido që vendoset, LDK’ja me rëndësi është që me dalë unike dhe e bashkuar, dhe me iu tregu që nuk i zen shtatori këta janë në qeverisje tash.

Gazeta Express: A do të kandidoni për kryetar menjëherë pasi të mbyllet procesi, a do ta bëni publike kandidaturën?

Lutfi Haziri: Ende nuk është mbyllë procesi. Unë i qëndroj strikt rregullës së LDK’së, që pasi të përfundojnë zgjedhjet në nivel të degëve. Hapet mundësia para Kuvendit me i shpallë kandidaturat eventuale, atëherë është koha. Tash nuk është koha, dhe kanë mbet pak ditë deri atëherë.

 Gazeta Express: Sa i përket mocionit të rrëzimit të Qeverisë. Kohët e fundit është parë një ftohje e AAK-së me NISMA’n. A e shihni këtë ftohje mes dy partnerëve qeverisës si mundësi që opozita të marrë dy tre vota që i duhen për rrëzimin e Qeverisë?

Lutfi Haziri: E para LDK’ja nuk është parti oportuniste, por është parti shtet formuese. Ne po punojmë në dy binarë. Në binarin e parë me partitë opozitare. Ne jemi dakorduar në parim për një mocion mosbesimi, dhe na duhet edhe një besim shtesë i deputetëve të partive të ndryshme. Në binarin tjetër që e kem propzu me 24 maj të  vitit të kaluar, është marrëveshje me gjitha partitë politike, me u dakrodu për një datë zgjedhore e cila u jep mundësi të gjitha partive politike që të hyjnë në proces të përgatitur. Edhe më tutje mund të konsiderohet edhe kjo, por mocioni është i pashmangshëm. Ajo që shihet sot, mocioni është i pashmangshëm. Vullneti i opozitës është me ecë përpara. Sa u përket këtyre që janë në qeverisje, përgjegjësia i atribuohet kryetari të PAN-it, kryetari i PAN-it është kryetar i PDK-së dhe kryetar i Kuvendit. Për krejt atë deformim, atë ndarje politike në Kosovës, ndarje ndërinstitucionale në Kosovë, ftohjen e marrëdhënieve me partnerë, tensionim të raporteve me BE-në, NATO-n dhe me partnerët më të mëdhenj të Kosovës, është çështje që e ka shkaktuar PAN-i. Menaxhim absolutisht i pa pranueshëm për shumicën e popullatës në Kosovës. Dhe në të shohim, në ecje politike pas Kuvendit të LDK’së do të zbardhet gjithçka. Do të jetë shumë ma e qartë dhe e ma e zbardhun procesi dhe e ardhmja e afërt e Kosovës.

Gazeta Express: A do të prisni që të përfundojë procesi zgjedhor, për të proceduar me mocion, apo mund të vendoset mocioni në Kuvend edhe pa përfunduar zgjedhjet brenda LDK’së?

Lutfi Haziri: Zgjedhjet janë afër përfundimit. Por nuk mund të ketë asnjë iniciativë tjetër politike meqë jena në prag të përfundimit të procesit zgjedhor. Procesi do të mbyllet për disa javëve, dhe më pas do të jetë gjithçka e qartë dhe e hapur.

Gazeta Express: Zoran Zaev aksidentalisht ka rënë në lajthitje me dy komikë rusë, ka folur për rrezikun e ndarjes së Kosovës nga Thaçi-Rama e Vuçiq me ndihmën e Rusisë dhe Turqisë. Si e komentoni një gjë të tillë dhe a mendoni që Kosova është vërtet e rrezikuar nga ndarja?

Lutfi Haziri: Me të thanë të drejtën tash nuk po flas si nënkryetar i LDK’së. Sepse kryeministri Zaev edhe si kryetar i Strumincës, në atë cilësi që ne kemi bashkëpunu edhe nga larg, është një politikan i mençur, i kujdesshëm politikisht dhe bashkëpunues. Është një prej liderëve në Ballkan që ka sjellë shpresë jo vetëm në Maqedoni të Veriut, por ka sjellë shprese edhe për Ballkanin Perëndimor në përafrimin edhe me NATO-n edhe me Evropën.

Ajo grackë është përgatitje dhe mekanizëm i  agjencioneve ruse dhe nuk është ai i pari. Pritet që tash të zbardhet edhe ajo çka ka folë… është paralajmërua në disa kuloare që do të lëshohen edhe deklaratat e tjerëve, tash nuk e di a ka folë as s’ka folë (Haradinaj). Por mendoj që është keqpërdor mirësia e një kryeministri i cili nuk është tregu politik aspak, karshi pamjes  që ai e ka për Ballkanin Perëndimor . Sepse Maqedonia nga një shtet që ka pas një ndarje politike edhe me Beogradin edhe me Prishtinën, ka ardhë në një qëndrim të qartë që Prishtina nuk ka opsion, Kosova nuk ka alternativë sa i përket fqinjësisë së mirë. Ju e dini që Maqedonia e ka pranuar pavarësinë e Kosovës me dy kushte të rënda. Ju e dini ato dy kushte Kosova i ka plotësu i ka ratifiku gjatë natës shumë të gjatë. Pranimi i demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë që është bë pa Kosovën, dhe pranimi i emrit kushtetues të Maqedonisë që sot nuk ekziston, sepse e kanë ndërru vetë maqedonasit.

Gazeta Express: Dhe një çështje në fund, dialogu Kosovë-Serbi faktikisht është në një gjendje kaosi, nuk e di askush se kur do të vazhdojë. Si e shihni ju që do të vazhdojë tutje procesi?

Lutfi Haziri: E para me u pas dëgju LDK’, nga 24 maji i vitit të kaluar kur ne kemi biseduar për këtë agjendë, Kosova do të ishte sot në një raport krejt tjetër në proces të dialogimit. Në u injoruam, dhe kërkesat tona nuk u morën parasysh. Dhe tash procesi është në mëshirë të evropianëve, mëshirë po them në thojza, sepse është një pajtueshmëri që Franca dhe Gjermania me e bo një tendencë shtyse që procesin me e përfaru drejt mbylljes, ndërsa një rol sekondar i State Deprtment dhe Shtëpisë së Bardhë.

Procesi si i tillë është në kaos total, dhe nuk ka qartësi as në Kosovë, as në Serbi e as në Bruksel e askund, përvec State Department, dhe besoj shumë që prej shtatorit një zbardhje e procesit dhe një rol më i fuqishëm i SHBA-së mund t’i jep zbardhje procesit, në të kundërtën procesi do të shkojë në degradim.

Gazeta Express: Do të thotë parashikoni që Amerika do të përfshihet pas shtatorit më intensivisht?

Lutfi Haziri: Pa përfshirjen e Amerikës dhe pa forcimin e rolit amerikan në proces, ky proces jo që kryhet, por do të shkojë në pikën zero fatkeqësisht.