‘Rreshtimi i Francës kundër Kosovës’, propagandë e Serbisë

Raportimet në mediat serbe se Franca ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës dhe se tani do të pozicionohet krah këtij shteti, në vend po shihen si një propagandë e radhës e shtetit serb.

Gazeta serbe ‘Blic’ ka raportuar se presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të pozicionohet në krah të Serbisë sa i përket konfliktit me Republikën e Kosovës.  E përditshmja serbe e konsideron ‘risi’ pozicionimin e ri të Parisit.

Sipas ‘Blic’, qëndrimi i Macron ndaj Prishtinës ka ndryshuar pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr taksën 100% ndaj produkteve serbe, si dhe faktit që shqiptarët shohin si aleat të vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por një gjë e tillë është mohuar nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa analistët politikë në vend e konsiderojnë si propagandë të radhës së Serbisë.

Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë, ka thënë për lajmi.net se marrëdhëniet në mes shtetit tonë dhe Francës janë të palëkundura.

 

“Marrëdhëniet e Kosovës dhe Francës qëndrojnë të palëkundura dhe këto janë fakte, në bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe jo deklarative. Si dëshmi rishtazi kemi edhe faktin që për një kohë të shkurtër Kryeministri Haradinaj ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Francës në Paris dhe Kryeministrin e Francës gjatë Samitit të Poznanit”, ka deklaruar Gashi.

Sipas saj, ky partneritet është afatgjatë, dhe Qeveria e vendit është e përkushtuar për t’i fuqizuar këto raporte me interes të ndërsjellë.

“Në takimet e fundit Kryeministri Haradinaj, ka kërkuar mbështetjen e palës franceze për liberalizim të vizave dhe ajo çka kemi marrë nga Franca si përgjigje është që ky vend nuk do ta pengoj këtë proces dhe gjithashtu e mbështetë Kosovën në proceset integruese”, ka përfunduar Gashi.

Ndërsa analisti politik, Shkodran Ramadani ka thënë për lajmi.net se nuk beson që vizita e presidentit francez në Serbi vjen si rezultat i një kthese të madhe të Francës, siç thotë ai, me i prish punët me Kosovën e me i ndreq më Serbinë.

“Nuk është kaq serioze besoj. Por, që ka pasur përplasje edhe presion nga ana e Francës në Samit të Berlinit, kjo tashmë është e ditur. E ka pranuar edhe vetë kryeministri në disa intervista, kjo tregon se ekziston një farë tension në mes të tij edhe presidentit francez, Emmanuel Macron, sidomos për shkak të refuzimit të kryeministrit Haradinaj për ta pezulluar tarifën. Mirëpo vizita e Macronit në Serbi nuk besojë që vjen si rezultat i një kthese të madhe të Francës që me i prish punët me Kosovën e me i ndreq më Serbinë. Se a ka në të vërtet një marrëdhënie kaq të mirë me Serbinë dhe a janë përkeqësuar kaq shumë raportet mes Francës e Kosovës mbetet të shihet në vazhdim”, ka thënë Ramadani.

Ramadani nuk beson që marrëdhëniet e Kosovës me Francën mund të prishën.

“Marrëdhëniet nuk  besojë që i prish krejt, por i përkeqëson, pasi vendet si Franca Gjermania, Britania e Madhe, SHBA, janë vende që kanë kërkesa dhe në momentin që shtetet si Kosova nuk i përgjigjen pozitivisht, ato normalisht që mund të shtojnë masa më agresive”, ka thënë Ramadani.

Ndërsa, analisti Avni Mazreku ka thënë se kjo është një propagandë e radhës e orkestruar dhe artikuluar mirë nga Qeveria e Serbisë, siç thotë ai, në këtë rast për konsum të tyre të brendshëm.

Ai po ashtu ka thënë se shtetet me ndikim si Franca nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre në raport me politikën e jashtme, përkatësisht çështje teknike që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve shekullore të pazgjidhura.

“Është  e pakuptimtë të besohet që shtetet, së pari është Franca dhe vendet e tjera të fuqishme të nivelit të Francës, se ato mundet të ndryshojnë qëndrimet e tyre në raport me politikën e jashtme, përkatësisht çështje teknike që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve shekullore të pazgjidhura. Franca edhe vendet e tjera të fuqishme, atyre  ju duhen shekuj që të ndryshojnë qëndrimet e tyre. Mund të ndërrojnë edhe Qeveritë e shteteve përkatëse, në këtë rast të vendeve të fuqishme, por qëndrimet e tyre në politikën e jashtme ato nuk mund të ndryshojnë. Kjo është vetëm një propagandë tjetër e orkestruar dhe artikuluar mirë nga Qeveria e Serbisë në këtë rast për konsum të tyre të brendshëm dhe eventualisht për të ndikuar në procesin e negocimit që do të pasojë javët apo muajt në vazhdim. Kjo nuk duhet të besohet as nuk duhet të mendohet në atë drejtim, së shtetet sikur Franca, SHBA, Gjermani e Britania e Madhe mund të ndryshojnë qëndrim”, ka thënë Mazreku

Ndryshe, Presidenti francez, Emmanuel Macron do të vizitojë Serbinë brenda këtij muaji, ku do të diskutojë për dialogun Kosovë-Serbi.

Sa i përket marrëdhënieve Francë-Serbi, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se do të nënshkruhen rreth 20 marrëveshje me Macron.