Kampionët tregojnë zemër, marrin rezultat të favorshëm në Uells

KF Feronikeli ka arritur të marrë një barazim shumë të rëndësishëm në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kampionët e Kosovës kanë barazuar 2:2 me skuadrën nga Uellsi, TNS, me vendasit që kishin epërsi prej dy golave deri në fund të ndeshjes.

Të gjitha golat e kësaj ndeshje u shënuan në pjesën e dytë.

Greg Draper në minutën e 49’ nga penalltia shënoi për 1:0.

Aeron Edwards shënoi për 2:0 në minutën e 77’, pas një lëshimi që bëri portieri i Feronikelit, Troshupa.

KF Feronikeli nuk u dorëzua për asnjë moment, duke arritur të shënojnë dy gola, për barazimin 2:2.

Fillimisht Mevlan Zeka në minutën e 89’, ngushtoi epërsinë në 2:1, ndërsa në minutën e 92’, Astit Fazliu shënoi nga penalltia, për 2:2.

Ky barazim, është një rezultat i favorshëm për KF Feronikelin, para ndeshjes së kthimit që pas një jave luhet në ‘Fadil Vokrri’.