Gabimi që e bëri Blerim Devolli në Kuvendin e Kosovës, që mund t’i kushtojë shtrenjtë

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës shefi i Z-Mobile, Blerim Devolli, ka deklaruar që për tetë vjet, prej vitit 2010 deri në vitit 2018 kompania e tij i ka fituar vetëm 5 milionë euro. Mirëpo ai në arbitrazh ndërkombëtar ka deklaruar krejt diçka tjetër.

Në paraqitjen e tij të javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës Blerim Devolli, shefi i Z-Mobile, bashkë me konsiljerët e tij, u duk që po tallej me përfaqësuesit e popullit, mirëpo në mes rreshtash ai i ka bërë disa gabime trashanike, të cilat do të duhej të përdoreshin kundër tij nëse në Republikën e Kosovës do të funksiononte shteti ligjor.

Devolli, duke dashur që nënvlerësoj rëndësinë financiare të Z-Mobile, për të cilën thuhet se ka korrur shumë fitime, u ka dhënë deputetëve shifra minimale të fitimeve të tij.

Ai i pyetur nga kryesuesi i komisionit hetimor, deputetit Visar Ymeri se sa ka qenë profiti i Z-Mobile që nga ekzistimi i kompanisë, Devolli kërkoi që kjo të bëhet nga këshilltari i tij që merret me financa.

Megjithatë, kjo nuk u miratua nga deputetët, e rrjedhimisht Devolli u përgjigj vetë për fitimet e kompanisë së tij.

“Për 10 vjet 5 milionë e 600 mijë, të hyrat kanë qenë 60 milionë e 437 mijë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Gjykata e Arbitrazhit e ka dënuar me një shifër brutalisht të lartë Telekomin e Kosovës për një dëm që gjoja ia ka shkaktuar Z-Mobile për një periudhë dy vjeçare.

Dënimi total i arbitrazhit ndërkombëtar për Telekomin e Kosovës ka qenë 28 milionë euro me arsyetimin se për dy vjet kompania publike nuk ka bashkëpunuar me Z-Mobile, duke e privuar nga qasja në 3G për 100 mijë numra.

Në bazë të kësaj, në bazë edhe të kalkulimeve të Z-Mobile, Gjykata e Arbitrazhit ka vlerësuar se kompania me pronar Blerim Devollin ka pësuar një dëm prej 28 milionë euro.

Nëse kjo është e vërtetë, e kjo ka mundësi që edhe të jetë e vërtetë, atëherë si është e mundur që për 10 vjet Z-Mobile të këtë fituar vetëm 5 milionë euro, derisa për dy vjet ka pësuar humbje prej 28 milionë euro?

Sipas logjikës së fakteve të paraqitura në arbitrazh, nëse për dy vjet Z-Mobile i ka humbur 28 milionë euro, atëherë fitimi i përgjithshëm i kësaj kompanie prej vitit 2010 deri në vitin 2018 duhet të këtë qenë rreth 100 milionë euro. / express/