Vuçiq: 99 për qind nuk do të mbahet Samiti i Parisit

Aleksandar Vuçiq ka thënë se Samiti i ardhshëm i Parisit nuk pritet të mbahet duke akuzuar Kosovën se nuk dëshiron bashkëpunim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Samiti i ardhshëm i Parisit nuk pritet të mbahet.

Ai ka theksuar se detyra e tij kryesore është që në mënyrën më të mirë të mundshme të zgjidhë çështjen e Kosovës.

“Mendoj se këtë porosi e kanë kuptuar edhe gjermanët e francezët, sigurisht ky është mendimi im. Unë nuk do të dilja me qëndrim se ky është vetëm mendimi im. Mendoj se nuk do të mbahet takimi në Paris, por ne do ta presim presidentin Macron në Beograd pas rreth një muaji”, deklaroi Vuçiq në emisionin e mëngjesit në “TV Pink”.

“Ju them për 99 për qind, kjo është gati e sigurt. Ndoshta mund të ndodh ndonjë mrekulli dhe dikush i ndryshon qëndrimet e tij brenda tri ditësh, por mendoj se për këtë ka pak mundësi”, shtoi ai.

“Është thënë se kam ardhur në pushtet për ta falur Kosovën, sikur këtë nuk e kanë bërë ata që ishin para meje. Kot është për mua të them se nuk ekzistojnë disa afate dhe se të gjitha këto janë spekulime. Tani kanë një teori të re. Me 99 për qind siguri ju them se nuk do të mbahet takimi në Paris”, u shpreh ai. Vuçiq ka bërë akuza të reja për krerët e shtetit të Kosovës.

“Mendoj se shqiptarët nuk janë të gatshëm për bashkëpunim, por mendoj se gjermanët dhe francezët e kanë kuptuar këtë mesazh. Serbia është duke u sjellur në mënyrë konstruktive, dëshirojmë dialog, por nuk dëshirojmë të hyjmë në bisedime ku pritet ta njohim pavarësinë e Kosovës”, theksoi Vuçiq.