Superkupa e Evropës, UEFA ndan vetëm 5 mijë bileta për tifozët e Liverpool dhe Chelseat

Tifozëve të Liverpool dhe Chelsea iu janë dhënë vetëm 5,257 bileta secilës për ndeshjen e Superkupës së Evropës në muajin gusht.

Fituesi i Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës do ta luajnë ndeshjen e tyre më 14 gusht në ‘Vodafone Park’ të Besiktas në Stamboll.

Stadiumi modern, i hapur zyrtarisht me ndeshjen ndaj Bursasporit në vitin 2016, ka një kapacitet prej 38,000 ulësve por sërish UEFA ka bërë një shpërndarje jashtëzakonisht të ulët të biletave për një stadium me kapacitet të tillë.

UEFA thotë se dy klubet dhe publiku i përgjithshëm do të marrin 78% të ulësve, me biletat e mbetura që do të shkojnë te komiteti lokal organizues, UEFA dhe shoqatat kombëtare, si dhe partnerët sponsorizues dhe transmetuesit.

Kujtojmë se shtëpia më e madhe e futbollit evropian kishte ndarë përafërsisht të njëjtin numër të biletave edhe për finalen e Ligës së Evropës, mes Chelseat dhe Arsenalit.

Ky vendim i tyre absolutisht nuk është mirëpritur nga dy tifozëritë.