Stadiumi Nacional i Kosovës, zbulohet periudha se kur do të nisë ndërtimi i tij!

Ministria e Sportit e ka prezantuar të premten projektin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës, punimet e ndërtimit të të cilit pritet të nisin gjatë këtij viti

Ministria e Sportit të premten ka dhënë detaje rreth Stadiumit Nacional të Kosovës, i cili do të ndërtohet në Drenas.

Në fakt, ministri i Sportit, Kujtim Gashi ka zbuluar se ndërtimi i këtij stadiumi ultra-modern pritet të nisin në pjesën e dytë të vitit 2019.

Ai është shprehur i gëzuar për fillimin e jetësimit të projektit më gjigant në histori të Kosovës, sipas tij.

Gjithashtu, Gashi e ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për mbështetjen në realizimin e prioritetit të mandatit të tij.

Ndërkohë, projektuesit e këtij stadiumi kanë dhënë po ashtu detaje rreth këtij impianti, i cili do të jetë sigurisht më i miri në Ballkan.

Nuk janë dhënë detaje se sa vite do të zgjasin punimet, por është zbuluar se kostoja e Stadiumit Nacional të Kosovës do të jetë mbi 50 milionë euro, të cilat do t’i sigurojë Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në kushte normale, një stadium mund të ndërtohet për 2-3 vjet.