Thaçi: Të paktë janë njerëzit si Clinton që kanë kontribuar aq shumë për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka lartësuar kontributin e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton për shtetin e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se të paktë janë njerëzit që kanë kontribuar për Kosovën ashtu si Clinton.

Ai është shprehur krenar që sot Kosova e nderoi atë me mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës.

Ky është postimi i Thaçit në Facebook:

Ka shumë njerëz, burra e gra, vajza e djem, që kanë kontribuar për lirinë e popullit tonë. Por, të paktë janë ata njerëz si presidenti Bill Clinton, që kanë kontribuar aq shumë për vendosjen e gurthemelit të kësaj lirie. Dhe nuk ka sesi të mos ndjehemi krenarë që këtij kontribuuesi të madh të lirisë sonë t’i shprehim mirënjohjen e thellë që populli i Kosovës ndjen për të! Faleminderit president Clinton!