Lexoi lajmin e rremë, shkoi për t’i shpëtuar fëmijët, dënohet me 4 vjet burgim

Edgar Welch ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2016 pasi kishte gjuajtur me armë brenda një picerie në Uashington pasi kishte lexuar një lajm të rremë në internet se ky lokal ishte qendër për shfrytëzim të fëmijëve si skllevër seksi. Askush nuk ishte lënduar nga ato të shtëna dhe Welch ishte dorëzuar në mënyrë paqësore.

Në intervistën e tij të parë pas arrestimit, ai u duk mjaft i pikëlluar. “Unë vetëm desha të bëj diçka të mirë dhe e nisa atë në mënyrën e gabuar”, thotë ai. Babai i dy vajzave ishte zgjuar në një të diele në mëngjes dhe i kishte thënë familjes se ka disa gjëra për të bërë.

Në fakt, ai kishte për qëllim ta shihte këtë piceri për së afërmi. Ai nuk tregoi pse e kishte marrë një armë ushtarake dhe pse e kishte shkrepur atë brenda lokalit. Sidoqoftë, në dokumentet e gjykatës thuhet se ai kishte shkuar i armatosur për t’i shpëtuar fëmijët.

Pasi i kishte dëgjuar disa fjalë për këtë vend dhe pasi i kishte bërë disa kërkime në internet, atij i ishte krijuar përshtypja se në atë lokal bëhen gjëra të këqija. Një artikull i internetit e lidhte me një artikull tjetër. Ai thotë se nuk i pëlqen shprehja “lajmi i rremë”, sepse ai përdoret për t’i shkatërruar lajmet jashtë mediave kryesore, të cilave nuk iu beson plotësisht.

Welch ishte i sjellshëm dhe fliste me zë të butë. Ai thoshte së nuk beson në teori konspirative, por më vonë shtoi se sulmet e 11 shtatorit duhet të hetohen përsëri. Thotë se nuk ka përdorur drogë, por kohë pas kohe ka pirë birra. Tash thotë se po i mungojnë fëmijët: “Ato janë në mendjen time për çdo sekondë”.

Ai e pranon se është ngutur kur ka hyrë në piceri dhe ka gjuajtur me armë dhe nëse do të mundte, shumë gjëra do t’i bënte ndryshe. “Jam penduar për mënyrën se si e kam menaxhuar situatën”, thotë Welch.

Edgar Welch u deklarua fajtor në mars të vitit 2017, ndërsa tre muaj më vonë u dënua me katër vjet burgim. Gjykata e ka akuzuar atë për sulm me armë të rrezikshme, armëmbajtje pa leje dhe krime të tjera. Avokati i tij kërkoi që ai të dënohet me një vit e gjysmë burgim, ndërsa prokurorët kërkuan që ai të dënohet me 4 vjet e gjysmë, shkruan “New York Times”, transmeton Gazeta Express.