Motra e Vjosa Osmanit punësohet si inspektore në ATK

Ilona Osmani- Mrasori, motra e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani është njëra ndër 20 personat të cilët janë punësuar në konkursin e fundit për inspektor tatimor në Administratën  Tatimore të Kosovës.

Ajo ka arritur të mposhtë një garë shumë të fortë për të siguruar një vend pune në ATK. Në këtë konkurs kanë konkurruar afër 2,000 persona, ndërsa në test me shkrim janë ftuar 512 kandidatë që i kanë plotësu kushtet minimale të kërkuara në konkurs.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Osmani- Mrasorin, por ajo ende nuk është përgjigjur. Ajo përveç lidhjes familjare me deputeten e LDK-së, ka lidhje familjare edhe me një person të lidhur me PDK-në.

Ilona Osmanit është bashkëshortja e ish- rektorit të Universitetit të Pejës, Naser Mrasori.

Mrasori para se të bëhej rektor ishte këshilltar politik i ministrit Ramë Bujës, në Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë Thaçi.

Gjithashtu KALLXO.com ka tentuar të flasë edhe me Naser Mrasorin, por ai kur e ka dëgjuar pyetjen e bërë e ka mbyllur telefonin.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me deputeten Vjosa Osmani.

E pyetur për punësimin e motrës së saj, Osmani tha se ajo ka konkurruar në shumë vende pune, “natyrisht që fakti që është motra ime është refuzu edhe me u intervstu”.

“Motra ime ka mbi 10 vite përvojë pune profesionale dhe menaxheriale dhe ka të përfunduar master që një kohë të gjatë. Vazhdimisht është diskriminuar edhe pse ka përmbushur kriteret dhe në shumicën e rasteve e mbi kualifikuar. Të tjerat besoj mund t’i konfirmoni me të”, tha Vjosa Osmani për KALLXO.com.

Ajo madje shtoi se nuk ka gisht në punësimin e motrës së saj.

“Përndryshe, është mirë ta dini që unë personalisht kurrë as nuk e kam njohur as nuk njoh askënd në ATK dhe s’kam asnjë lidhje të vetme në punësimet që bëhen aty. Besoj sqarimet mund t’i merrni nga vetë motra ime por do të ishte jo korrekte që mua të më përzini në një çështje në të cilën nuk kam asnjë lidhje të vetme”, tha Osmani tutje.

Ilona Osmani- Mrasori, motra e deputetes nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

KALLXO.com raportoi edhe për Veton Ademin, ish-kandidat i AAK-së për asamblist të Drenasit në zgjedhjet e vitit 2017 është në mesin e 20 personave të punësuar në ATK.

I pyetur nga KALLXO.com nëse për zgjedhjen e tij për inspektor në Administratën Tatimore të Kosovës ka pasur ndikim politika, pasi që partia të cilës i përket ai është në pushtet në nivelin qendror, Ademi e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai thotë se është përzgjedhur për shkak se është i përgatitur dhe ka përvojën e nevojshme.

KALLXO.com, dje gjatë ditës publikoi listën e kandidatëve që janë zgjedhur inspektorë në ATK.

Veton Ademi është renditur i 14-ti në listën e publikuar të ATK-së ndërsa Ilona Osmani- Mrasori e 15-ta në listë.

 

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019.

Në të kanë aplikuar mbi 500 kandidatë dhe vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos të lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve.