Rrëfime të kosovarëve që ishin në trenin e Bllacës, përshkruhet frika dhe tmerri i ikjes nga lufta

Ashtu si para 20 vjetëve është nisur treni nga Fushë Kosova për në Bllacë të Mitrovicës. Për ta rikthyer edhe njëherë ngjarjen e dy dekadave më parë, u përkujdes stafi i hekurudhave të Kosovës të cilët organizuan transport të posaçëm nga Fushë Kosova dhe nga Mitrovica për në Bllacë.

Një rrëfim të veçantë na sollën edhe vetë ata që e kishin përjetuar gjithë këtë ngjarje para 20 vjetëve.

Bajram Qerkini nga Shoqata për të Pagjeturit, tha se frika më e madhe aso kohe ka qenë se treni do të shpërthente pasi që sipas tij kishte fjalë që treni kishte qenë i minuar.

“Është përjetim i veçantë kur po kthehem sot mbas 20 vjetëve, ka qenë një përjetim që vetëm ata që kanë qenë në atë tren e dinë. Kemi qenë shumë shqiptarë aty, secili prej ne e oshtë nis me frikën që treni do shpërthej diku dhe do mbesim të vdekur aty asi që ka pas fjalë që treni ka qenë i minuar. Kemi bë shumë ndalesa e gjatë atyre ndalesave janë vra gra e fmi, janë masakrua shumë burra. Shumë nana e gra tona, policia serbe i ka marrë i ka largu nga me e sot e tutje nuk dihet se ku janë. Kur kemi mbërri n’Bllacë ka qenë një far shprese se thojshim që shpëtum”, tha Qerkini.

Ndërsa Ridi Berisha që atë kohë ishte 15 vjeç tha se torturat në të ashtuquajturin treni i fundit kanë qenë të shumta.

“Unë jam Ridi Berisha dhe me familje jam nis nga Prishtina, kemi ec në këmbë nga Prishtina në Fushë Kosovë. Në Fushë Kosovë kemi hipë në trenin që do shkonte për në Bllacë, kur kemi hy e kemi pas një frikë pasi unë kam qenë 15-vjeçar e kemi pas frikën që po na vrajnë, treni oshtë ndalë në shumë stacione dhe çdo herë frika ka qenë që kur të na ndalin kanë me na vra deri sa kemi mbërri në Bllacë, aty kemi thanë që shpëtuam por ka qenë në gjendje e keqe pasi ka pas shumë baltë e ushqim jo të mjaftueshëm për të gjithë”, tha Berisha, raporton EO.