Treni që largoi mbi gjysmë milioni njerëz nga Kosova gjatë luftës bëhet muze

Tre vagonë s’u vunë në shërbim të qytetarëve, për 20 vite rresht. Por, dy dekada më parë, përmes tyre pothuajse gjysmë milion shqiptarë u nisën për në Bllacë, të detyruar nga forcat serbe.

Sot infrastruktura e vagonëve është e vjetruar, e këto ulëse s’i shfrytëzoi më askush.

Por vagonët të drejtuar nga kjo lokomotivë, këtë vit do të marrin edhe njëherë një rrugë.

Në këtë prill, destinacioni i tyre do të jetë i njëjtë, por jo edhe qëllimi.

Lokomotiva bashkë me tre vagonë do të niset për në Bllacë, e kësisoj do të vihet gurthemeli i qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 99”.

Këtë radhë,  do të jetë hera e fundit që ky tren merr këtë rrugë, pasi që nga 10 prilli e tutje, ai do të qëndrojë në muze.

E nga Qeveria e Kosovës, u kujdesën që imazhi i vagonëve, të kujtojë përgjithmonë atë që iu ndodhi mbi 400.000 shqiptarëve, dy dekada më parë.

Jahja Lluka, nga Zyra e Kryeministrit, tregon se çka vijon pas shënimit të gurthemelit.

Veç të tjerash, do të hapet edhe një ekspozitë me fotografi të asaj periudhe, në bashkëpunim me Maqedoninë.