Gazeta e njohur italiane: Shqipëria e Panuccit larg asaj të De Biasit

Gazeta e njohur italiane Gazzetta Dello Sport nuk beson se Shqipëria e drejtuar nga Christian Panucci do të jetë në ndeshje ta përsërisë suksesin historik të ekipit kombëtar shqiptar të udhëhequr nga Gianni De Biasi vite më parë.

Vetëm pak ditë para nisjes së elimintoreve të Europianit të vitit 2020, prestigjozja italiane Gazzetta Dello Sport ka analizuar 10 grupet kualifikuese që do të përcaktojnë 20 skuadrat e kualifikuara në Europian ndërsa 4 të tjera do të zbulohen nga faza play off e Ligës së Kombeve.

Në skanimin që i bën Grupit H ku bën pjesë edhe Shqipëria, Gazzetta Dello Sport shkruan se kuqezinjtë e drejtuar nga Christian Panucci do ta kenë shumë të vështirë të përsëritin suksesin që arriti Gianni De Biasi në elimintoret e Euro 2016-të.

“Kampionët e Botës të Francës nuk duhet të kenë rreziqe. Edhe pse u mundën nga Holanda në Ligën e Kombeve, ata nuk duhet të frikësohen nga Islanda, që zhgënjeu në Kupën e Botës dhe u rrëzua në Ligën B në Ligën e Kombeve, dhe nuk ka fituar asnjë ndeshje që nga tetori 2017-të. Apo nga Turqia e Calhanoglu, që u rrëzua në Ligën C të Ligës së Kombeve, dhe ende mbështetet tek një 38-vjeçar si Emre dhe 33-vjeçar si Burak Yilmaz. Më pas, për vendin e dytë, luan edhe Shqipëria e Christian Panuccit, i cili do ta ketë të vështirë të përsërisë shpërthimin e De Biasit, por ka disa nga elementët më ekspertë në ekip, si napoletani Hysaj, Taluant Xhaka, apo Memushaj nga Pescara. Grupi mbyllet nga Moldavia dhe Andorra”, shkruhet në artikullin e postuar nga Gazzetta Dello Sport.