Aeroplanët Boeing 737 – Çfarë do të ndodhë më tutje?

Më shumë se 300 aeroplanë Boeing 737 MAX 8 dhe MAX 9 janë jashtë shërbimit në mbarë botën pas dy aksidenteve fatale gjatë pesë muajve të fundit, njëri në Etiopi dhe tjetri në Indonezi. Nga këto aksidente janë vrarë pothuajse 350 njerëz.

Hetuesit të cilët po bëjnë kërkimet për të zbuluar shkaqet e aksidenteve duhet të përgjigjen në një pyetje të rëndësishme: A ishte faji i softuerit të këtij lloji të aeroplanit? Kompania Boeing tashmë ka paralajmëruar se do të bëjë ndryshime në softuer.

Mirëpo çfarë dihet deri më tani?

Evropa dhe Kanadaja thanë të martën se do të vërtetonin në mënyrë të pavarur sigurinë e avionëve, duke komplikuar edhe më shumë rinisjen e fluturimeve të aeroplanëve.

Në anën tjetër, hetimet janë drejtuar në regjistruesin e zërit të pilotit të aeroplanit të rrëzuar në Etiopi. Kjo, pasi po vlerësohet se fjalët e tij mund të zbulojnë se çfarë çoi në rrëzimin e aeroplanit.

Pamje nga vendi ku është rrëzuar avioni i kompanisë, Ethiopian Airlines, ku humbën jetën të gjithë personat në bord.

Hetuesit kanë gjetur ngjashmëri të mëdha në të dyja fluturimet që pësuan aksident.

Përderisa hetimet janë në zhvillim, kompania Boeing ka ndaluar operimin e të gjithë avionëve të rinj MAX për klientët e saj. Kompania ka pësuar humbje në aksione të tregut në vlerë prej 28 miliardë dollarë.

Megjithëse kompania mban qëndrimin se aeroplanët e saj të ri janë të sigurt ajo megjithatë mbështet vendimin e Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së për të ndaluar fluturimin e tyre.

Ekspertët besojnë se një sistem i ri i kontrollit të fluturimit (MCAS), në aeroplanë, mund të ketë qenë një faktor në të dy rrëzimet, përfshirë pamundësinë e pilotëve për të mbizotëruar atë.

Piloti i fluturimit etiopian kishte raportuar probleme të kontrollit të brendshëm dhe mori leje për t’u kthyer. Piloti i fluturimit Lion Air, i cili u rrëzua më 29 tetor, kishte kërkuar gjithashtu të kthehej shpejt pas ngritjes nga Xhakarta.

Por asnjë dëshmi bindëse ende nuk i ndërlidhë të dyja aksidentet.

Çka më tutje?

Ligjvënësit në SHBA thanë se aeroplanët mund të mos fluturojnë për disa javë në mënyrë që të përmirësohet dhe instalohet softueri në çdo aeroplan. Vende të tjera mund të ndalojnë aeroplanët për periudhë edhe më të gjatë.

Inspektori i përgjithshëm i Departamentit Amerikan të Transportit ka në plan të auditojë certifikimin nga ana e departamentit për aeroplanët, tha një zyrtar të martën. Zyra mund të rekomandojë ndryshime ose përmirësime në mënyrën se si funksionon certifikimi.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të emërojë shefin ekzekutiv të mëparshëm të Delta Air Lines, Steve Dickson, për të kryesuar Departamentin Amerikan të Transportit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Në anën tjetër kompania “Boeing” ka në plan të lëshojë softuerë të përmirësuar për aeroplanët 737 MAX të saj deri në 10 ditët e ardhshme, thanë burime të njohura me këtë çështje, raporton Reuters.

Asnjë padi nuk është ngritur që nga rrëzimi i aeroplanit në Etiopi, por disa avokatë thanë se presin që “Boeing” do të paditet në Shtetet e Bashkuara.

Në Etiopi ndërkohë po vazhdojnë hetimet për aeroplanin e rrëzuar. Agjencia ajrore etiopiane tha më 16 mars se testimi i ADN-së së udhëtarëve mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.

Ligjvënësit dhe ekspertët e sigurisë po vënë në pikëpyetje mënyrën se si rregullatorët kanë verifikuar dhe certifikuar modelin MAX të aeroplanëve “Boeing”. Ata po ashtu po ngrisin pyetje nëse pilotët janë trajnuar sa duhet për veçoritë e reja të aeroplanëve.