Haradinaj pas takimit me Kosnett: Taksa nuk hiqet pa marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripotencuar edhe njëherë se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet pa pasur marrëveshje për njohje të Kosovës nga Serbia, raporton “Zëri.info”.

Megjithëkëtë, Haradinaj ka pohuar se ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i ka kërkuar sërish pezullimin e tarifës gjatë një takimi që kanë pasur sot.

“Është qëndrim i qartë i Departamentit të shtetit, ata sugjerojnë që të pezullohet taksa, që t’i hapet rrugë dialogut. Është një qëndrim i qartë i Amerikës. Kemi biseduar edhe për temat e tjera”, deklaroi Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë.

Shefi i ekzekutivit me këtë rast, tha se ai është për ta hequr taksën, por një gjë e tillë, siç theksoi Haradinaj, nuk ndodh pa pasur fillimisht një marrëveshje për njohje.

“Qëndrimi ynë është i qartë, edhe unë dua që ta heq taksën, jo vetëm ta suspendoj, por është e lidhur me njohjen. Sugjerimi im është të mos ndërlidhen temat, dialogu është një proces që ka filluar para taksës dhe nuk duhet të kushtëzohet. Ekziston mënyra për ta hequr taksën, por duhet ta përgatisim një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, një marrëveshje ligjore për njohje”, potencoi ai.