Ahmeti padit Vetëvendosjen, thotë se nëse s’pajtohesh me Kurtin të quajnë të korruptuar

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dorëzuar sot padi në Gjykatën Themelore ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Padia sipas Ahmetit është dorëzuar për shkak se Vetëvendosje ka shpifur ndaj tij për tenderin me qumështin.

Ndërsa sipas Vetëvendosjes, Komuna e Prishtinës ka keqpërdorur 530 mijë euro në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasave të para dhe të pesta.

“Ne edhe sot tregojmë se të gjitha procedurat kanë qenë të hapura nuk e di se me çfarë logjike dikush mundet me buxhet me paracaktu me çfarë çmimi do të ofertojë. Është çmimi më i ulët i qumështit. Me të njëjtën logjikë do të thoja se Prizreni e paguan 20 cent më shumë sesa komuna e Prishtinës.  I bej thirrje gjykatës që ta trajtojë sa më shpejt këtë rast. Këtë padi e kanë bërë disa njerëz që janë të njohur për hajni në VV dhe tash instrumentalizojnë për të na dëmtu neve”, ka deklaruar Ahmeti.

Tutje ai ka thënë se ‘nëse pajtohesh me Albin Kurtin quhet demokraci, nëse jo quhet korrupsion’.

“Do të ishte mirë me dal në debat me Albinin të ballafaqohemi për krejt temat, t’i flasim krejt dhe tregojmë se kush po rren në këtë mes. Kësaj radhe e kemi pas vetëm një ofertues dhe çmimi të cilin e ka ofru është 25 cent, ne nuk e kemi pas buxhetin e mjaftueshëm dhe e kemi anulu atë tender. Ende s’ka filluar procedura e ngociimit”, ka shtuar i pari i Prishtinës.