9 persona ndalohen në Gjilan

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka bërë të ditur se vetëm brenda javës së kaluar ka ndaluar nëntë persona të dyshuar.

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë javës së kaluar, ka ndaluar  nëntë persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, për vepra të ndryshme penale.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e kësaj prokurorie, departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar pesë persona, për shkak të dyshimit të veprave penale, “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, “Detyrim”, “Vjedhje e rëndë”, “Kanosje” dhe “Shtrëngim”.

Ndërkaq departamenti i Krimeve të Rënda, ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”, të KPRK-së.

Nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar 3 (tre) të mitur, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”, “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afateve ligjore, për të gjitha këto raste, ka paraqitur kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjilan.