Platforma do të theksojë parimin se “kufijtë dhe integriteti janë të panegociueshëm”

Përpjekjet e Delegacionit shtetëror për t’i koordinuar veprimet me presidentin rreth dialogut deri më tani kanë rezultuar shterpë. Nuk është përmbushur as zotimi për shkëmbim të informatave dhe dokumentacionit rreth dialogut me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.

Të premten (sot) është afati i fundit i vendosur prej Delegacionit shtetëror kur presidenti duhet t’i vërë në dispozicion dokumentet që ka. Ndërkaq 15 janari është afati i finalizimit të Platformës Shtetërore, e cila më pas do t’i dorëzohet Kuvendit.

Avni Arifi është njëri nga anëtarët e Ekipit, i mandatuar për hartimin e Platformës. Ai ka thënë për “Kohën Ditore” se këto dy ditë pritet të konfirmohen parimet në Platformë se “kufijtë dhe integriteti janë të panegociueshëm”.

“Udhërrëfyes për Platformë janë dokumentet ekzistuese të aprovuara në Kosovë që nga Kushtetuta dhe ligjet aktuale”, ka theksuar Arifi.