Kalendari i socialdemokracisë

Çka shquajmë si të rëndësishme nga një vit, e një jetë e tërë, në masë të madhe varet nga gjykimi që kemi mbi ngjarjet e rrethanat. Kalendari numëron ditë e shënon data, gjykimi i njerëzve mbi to bën që një kalendar i njëjtë për të gjithë të jetë në të njëjtën kohë i ndryshëm për secilin. Por çka shquajmë nga një vit, që na dallon nga kalendari i njerëzve tjerë, në të njëjtën kohë na bashkon me njerëz nga mbarë bota, pa e ditur se cilët janë ato e ata. Njerëzit që kanë bindje të ngjashme e gjejnë njëri-tjetrin, e do fati, bashkohen për konkretizimin e botëkuptimit të tyre në një vend e në një kohë të caktuar. Unë gjeta Prishtinën e Kosovën me qytetarë, bashkëmendimtarë/e.  

Ky vit që po ikën la shumë probleme të pazgjidhura, krijoi ca të tjera, përderisa qytetari i Kosovës bart faturën e shtrenjtë të rrymës, faturën e shtrenjtë të shportës ditore, faturën e shtrenjtë të mirëqenies. Qytetari i Kosovës është ai që vuan pasojat e keqqeverisjes. Sepse fatura e rëndë e varfërisë dallon në çmim varësisht klasës shoqërore që i takojmë. Përgjithësisht, vendi ynë, me institucionet e saj megaloman, ka mbjellë një logjikë të gabuar të qeverisjes, e cila rrit kostot e shpenzimeve për vete, por fare pak ose aspak ndërmerr hapa konkretë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Ndryshimet për të cilat ka nevojë Kosova nuk mund të quhen të mëdha, as të vërteta nëse nuk ndërhyjnë në strukturën shoqërore. Sikurse hapja e vendeve të reja të punës është nevojë, kuotimi gjinor i vendeve të punës duhet të jetë qëllim. Në përmirësimin e jetës së qytetarit duhet që të preken pjesët më problematike dhe shtypëse të jetës së qytetarëve. Punësim po, por edhe punësim për kë është çështje që duhet të jetë pjesë e mendësisë qeverisëse. Por për të qenë e tillë së pari duhet të jetë shqetësim për Qeverinë. E, nuk është.

Prandaj shquaj vitin 2018 me një ngjarje që do të shënjojë kalendarin tim. Siç dihet zhurma e diskutimeve politike, nga parti të ndryshme, nuk prodhonte asgjë të re e përparimtare në diskursin publik. Përkundrazi. Dhe në kohën kur dukej se Kosova është ngopur me shumësinë e partive bllokadat pa rrugëzgjidhje e interesa meskine, rilindja e Partisë Socialdemokrate vendosi në pah diçka që të gjithë e kishim harruar: nevojën për një subjekt të majtë, që ka për shqetësim qytetarët e nëpërkëmbur dhe ka për synim të ndërhyjë në strukturën shoqërore, e cila është e shtresëzuar historikisht dhe e mirëmbajtur aktualisht mbi shtypje ekonomike, sociale, gjinore, racore e kulturore. Në shumë raste këto të gjitha së bashku.
Deri më tani kemi parë të ndërrohet klasa politike nga një formacion në tjetër. Njëjtë kemi parë edhe të ndërrohet përbërja e opozitës. Këto ndërrime, që rëndom përcilleshin me zhurma e ofendime, nuk prodhonin asnjë mundësi për avancimin e Kosovës as nga brenda, as në raportet ndërkombëtare. Çdo gjë ishte reprizë. Madje edhe fjalët kishin filluar të ngjasonin. Përsëritja, në këtë kontekst është ngecje. 20 vjet njëjtë. Përsëritja ishte normalizuar dhe mbështjellë nën petkun e luftës pozitë-opozitë. Kritika qe zëvendësuar me akuzë, ndërsa betejat politike kishin degraduar në luftë personale për pushtet.

Kur skena politike barrikadohet në kampe dhe mbrohen pozicione joparimore vetëm për ta sulmuar tjetrin që nuk është si ti, si rregull lulëzon oportunizmi. Skena politike u bë Një. Nuk kishte më as rëndësi as kuptim ndërrimi i një klase politike me këtë tjetrën.
Ngopja me këtë zhurmën pozitë-opozitë, që nuk prodhonin asgjë përveç vetes së tyre, vendosi në pah nevojën për kthimin e përmbajtjes dhe të normales në politikën e Kosovës për krijimin e një standardi ndryshe sesi bëhet opozita dhe si qeveriset vendi. E, sidomos, për kë (cilat shtresa) është një qeveri. Për të gjithë, gjithsesi, por diku duhet vendosur theksi.
Unë i takoj mendimit që PSD-ja do t’i takojë kësaj hapësire, e cila nuk i përket partisë, por bindjeve socialdemokrate të qytetarëve të vendit. Me më shumë dedikim për një botëkuptim socialdemokrat, thellësisht besoj që kalendari im tashmë është i ngjashëm me shumë të tjerë, qytetarë të këtij vendi.  /GazetA Zëri/
(Autori është kryetar i PSD-së dhe i Komunës së Prishtinës)