ShBA-ja, Anglia dhe Turqia mbështesin formimin e Ushtrisë  së Kosovës

Më 14 dhjetor Kuvendi i Kosovës do të votojë ligjet që mundësojnë ndryshimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ushtarak. Por, formimi i ushtrisë përmes ligjeve pa e ndryshuar edhe Kushtetutën po kundërshtohet nga disa shtete anëtare të NATO-s.

Por, mbështetje formimit të ushtrisë së Kosovës i kanë dhënë shtetet më të fuqishme të kësaj aleance ushtarake: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuara dhe Turqia, shkruan “Republika.info”.

Kështu, në të ashtuquajturin Ministral i Jashtëm të NATO-s, të mbajtur me 4-5 dhjetor, është diksutuar për Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë për raportet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në përgjithësi janë shumë të pakta shtetet e NATO-s që janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës. Të qarta në këtë drejtim janë vetëm ato shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si Spanja e Sllovakia. Mirëpo, numri i shteteve që e kundërshtojnë transformimin e ushtrisë me ligj (pra pa u ndryshuar edhe Kushtetuta) është pothuajse i barabartë me ato që e mbështesin një formë te tillë.

Por, e rëndësishme për Kosovën është se e ka mbështetjen e shteteve më të fuqishme ushtarakisht si ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuara dhe Turqia, shkruan “Republika.info”.

Kujtojmë se Transformi i FSK-së në Forca të Armatosura kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe e cila kërkon dy të tretat e dyfishta në Kuvend, që nënkupton votat e 80 nga 120 deputetëve si dhe 14 nga 20 votat e deputetëve që vijnë nga komunitetet pakicë. Këtë ndryshim të Kushtetutës po e pengon Lista Serbe. Kështu Kosova po bëhet me ushtri përmes ndryshimit vetëm të ligjeve duke ia ndryshuar mandatin FSK-së, por pa ia ndryshuar edhe emrin.