Serbia jep “dezinformacione” për aeroportin e Prishtinës

Aviacioni civil i Serbisë po i dezinformon transportuesit ajrorë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është i mbyllur për trafik civil, tha për Radion Evropa e Lirë Driton Hyseni, menaxher i planifikimit të fluturimeve në aeroportin e Prishtinës.

Aviacioni Civil i Serbisë e dërgoi një e-mail të tillë të mërkurën në një kompani ajrore që planifikoi të fluturonte në Prishtinë.

Në email thuhej se leja e trafikut nuk mund të aktivizohet, pasi në aeroportin e Prishtinës lejohen vetëm fluturimet ushtarake, shtetërore ose humanitare, përmes lejes paraprake.

“Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Edhe më herët ka ndodhur që aviacioni civil serb ka dhënë informacione të pasakta te operatorët ajrorë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është i mbyllur për trafik civil”.

“Kur kemi marrë informacione të tilla, i kemi marrë masat maksimale për t’i mohuar ato dhe për të informuar se aeroporti është i hapur, punon dhe se fluturimet zhvillohen pa probleme”, tha Hyseni.