Opozita nuk e përkrah buxhetin e vitit 2019

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka diskutuar  për projektbuxhetin për vitin 2019, kundër të cilit kanë dalë dy partitë e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se LVV nuk do të mbështet buxhetin e paraparë për vitin e ardhshëm.

Sipas tij, buxheti i paraparë për vitin 2019 është vetëm buxhet i shpenzimeve qeveritare.

“Nuk ka ndryshuar orientimi qeveritar. Buxheti i vitit 2019 është buxhet i shpenzimit qeveritar e jo i zhvillimit socioekonomik. Është buxhet i shtimit të borxhit. Ekonomia ynë po mbështetet më shumë në importe në krahasim me eksportet. LVV nuk do e mbështet buxhetin e propozuar për vitin 2019. Besojmë që një orë e më parë po të largohet qeveria nga detyra, aq më mirë do të bëhet për popullin e Kosovës”, tha Kurti.

Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se investimet nëpër sektorë nuk janë të arsyeshëm dhe se nuk përbëjnë zgjidhje për problemet aktuale.

Ai ka pasur kritika edhe në buxhetin e ndarë për skemat sociale, për të cilin ka thënë se investimi në këtë sektor ka tejkaluar të gjitha parashikimet.

Po ashtu, Abdixhiku ka përmendur edhe ndarjen e buxhetit për pensionet e veteranëve të UÇK-së, duke përmendur edhe skandalet me keqpërdorimet e listave.

Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për faktin që në këtë projekt nuk përfshihet rritje e buxhetit në plan 3 vjeçar për Ushtrinë e Kosovës.

Si i tillë, është shprehur Abdixhiku, Lidhja Demokratike nuk e përkrah buxhetin për vitin 2019.

E shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se ky projekt buxhet është i njëjti me atë të viteve të kaluara.

Ai po ashtu ka thënë se problem tjetër është edhe deficiti tregtar, dhe fakti se për nëntë muaj u importuan më shumë se 2.6 miliardë euro.

Sejdiu ka thënë se duhet të ketë politika dhe numra që të zvogëlohet defiçiti tregtar.