Opozita dështon ta rrëzojë Qeverinë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar që Rezoluta e propozuar nga seanca e kaluar të hidhet në votim.

Hoti ka thënë se dje janë takuar me grupet parlamentare mirëpo nuk janë harmonizuar për rezolutën.

Pas hedhjes në votim, pro kësaj rezolute votuan 40 deputetë, një kundër ndërsa një tjetër abstenoi.

Rezoluta e opozitës kishte të bënte me dështimin e Kosovës në liberalizimin e vizave. Ajo kërkonte shpërbërjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje tentojnë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Tri pikat e Rezolutës:

Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.

Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë.