Nga java tjetër qytetarët nuk do të paguajnë bileta në hyrje të Stacionit të Autobusëve

Biletat prej 10, 50 centëve dhe 1 euro, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, nga java e ardhshme do të hiqen.

Telegrafi merr vesh se Komuna e Prishtinës përmes aksionarëve të ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve”, i ka rekomanduar bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrje që ta shfuqizojë vendimin paraprak për tarifat 10 cent, 50 cent dhe 1 euro me të cilat ngarkoheshin qytetarët në hyrje të stacionit.

Të hënën pritet të mbahet mbledhja e bordit, dhe rrjedhimisht nga e marta do të hiqen pagesat.

“Pagesa do ti bartet kompanive, pra qytetarët paguajnë njëjtë biletën e autobusit si më herët, kurse kompania paguan tarifën”, ka bërë të ditur ky burim.

Vendimi për vendosjen e këtyre tarifave ishte marrë në shtator të vitit të kaluar. Kujtojmë se vendimi i menaxhmentit për pagesën në sportele solli pakënaqësi tek shoferët dhe udhëtarët.

Si pasojë e kësaj, ka pasur edhe protesta dhe greva, ku autobusët nuk kanë hyrë fare në stacion.