Dënohet me 300 euro shoferi që u kyç gabimisht në trafik

Fatlum Hoxha nga Gjilani, u dënua me 300 euro gjobë nga Gjykata Gjilanit për veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Ai akuzohej nga Prokuroria në Gjilan, se duke mos respektuar rregullat e Ligjit për Trafikun Publik, ishte kyçur në rrugë në mënyrë të pakujdesshme, me çka ishte goditur nga një motoçikletë dhe drejtuesi dhe pasagjeri i saj pësojnë lëndime trupore.

Pas leximit të akuzës nga ana e prokurores së shtetit, Kujtesa Fazliu, i pandehuri Fatlum Hoxha, pranoi fajësinë, duke deklaruar se e ka kuptuar në tërësi aktin në fjalë dhe pranimin e fajësisë e bën në mënyrë të vullnetshme.

Ai më tutje, në deklarimin e tij, shtoi se e ndien vetën fajtor, duke ju kërku falje të dëmtarëve për lëndimet që u ka shkaktuar.

Njëherit ai i premtoi gjykatës që kjo është hera e parë që i ka ndodhë një gjë e tillë, dhe kërkoi  që t’i jepet një dënim sa ma i butë.

Pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri, prokurorja Kujtesa Fazliu i kërkoi gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe me rastin e caktimit të dënimit t`i ketë parasysh gjitha rrethanat si lehtësuese ashtu edhe rënduese.

Kurse të dëmtuarit në këtë rast, Gentrit Osmani dhe Liridon Rexhepi deklaruan se nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale ndaj të pandehurit, dhe se kërkesën për kompensim dëmi do ta kërkojnë në rrugë tjera.

Pas kësaj gjyqtari i vetëm gjykues Veli Kryeziu, shpalli menjëherë vendimin, ku ndaj të pandehurit Fatlum Hoxha i shqiptoi dënim prej 300 euro, të cilën obligohet ta paguaj me tri rata, raporton kallxo.com.

Në rast se i pandehuri nuk paguan gjobën në fjalë, atëherë dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burgim, komunikoi gjyqtari Kryeziu.

Në fund ai njoftoi se deri te ky dënim erdhi për shkak se i pandehuri ka pranuar fajësinë në mënyrë vullnetare, është penduar,  veprën e ka kryer nga pakujdesia e jo me ndonjë qëllim.

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se i pandehuri Fatlum Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik sepse më datë 31.08.2018, duke dalë nga parkingu i autolarjes “ Expres Wash” e cila gjendet, përball Spitalit Regjional, deri sa drejtonte automjetin Golf nga pakujdesia ka shkelur ligjin për Rregullimin e Trafikut Rrugor.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në tentim të kthimit të rrugës në drejtim të Ferizajt, me derën e parë të anës së majtë të automjetit të tij, ndeshet(goditet) me pjesën e parë nga motoçikleta Honday, të cilën e drejtonte Gentrit Osmani, i cili në momentin kritik bënte tejkalim të disa automjeteve në  mënyrë të pasigurt në rrugën Idriz Seferi, dhe nga kjo goditje, përpos dëmeve materiale në automjete, lëndime të lehta trupore pëson drejtuesi i motoçikletës Gentrit Osmani si dhe pasagjeri Liridon Rexhepi, të cilët për shkak të lëndimeve të marrura detyrohen të kërkojnë ndihmën mjekësore në Qendrën e Emergjencës në Gjilan.