Thaçi tregon çka u bisedua në Bruksel, thotë se delegacioni në krye me Limajn duhet të jetësohet

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka dhënë detaje ekskluzive në Zona e Debatit të Klan Kosovës rreth pikave të cilat ka diskutuar sonte në Bruksel gjatë takimit që pati me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.

Thaçi ka thënë se ndonëse pati agresivitet nga delegacioni serb, kanë disktuar rreth mundësisë së arritjes në mirëkuptim për marrëveshjen finale mes Kosovës e Serbisë, e cila përmban njohje reciproke dhe mundësi reale të ndryshimit të rezolutës 1244, njofton Klan Kosova.

”Rikonfirmoj se ishte takimi i radhës i fazës finale për mundësinë  e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë”.

”Krejt këto janë mundësi me marrëveshje për të dyja shtetet, por theksoj se takimi ka qenë me veprime arrogante nga delegacioni i Serbisë ndërsa ekziston vullneti i dyanshëm për shtyrje të procesit përpara”.

”Me arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi duke ndodh njohja reciproke do të njihet Kosova në Bashkimin Europian e po ashtu Kosovës do t’i hiqet vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit dhe është diskutuar  mundësi reale e heqjes së rezolutës 1244”.

”Është me rëndësi të theksohet se është e domosdoshme të arrihet një marrëveshje e përfaqësuesve të Kosovës në Bruksel”.

”Delegacioni i propozuar në krye me Fatmir Limajn duhet të merr rolin aktiv. Duhet të ulemi të diskutojmë të gjejmë një mundësi për agjendë shtetërore në mënyrë që të jemi të angazhuar në vendimmarrje të gjithë së bashku”.

Më tej presidenti Hashim Thaçi ka bërë të ditur në Zona e Debatit se është nisur për në Paris ku dhe atje do të marr pjesë në takime me liderë të ndryshëm shtetërorë.

Por ai ka mohuar të ketë planifikuar në agjendën e tij ndonjë takim të veçantë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njofton Klan Kosova.

”Në Paris do të jemi të përfaqësuar si vend i pavarur dhe sovran, ku do të përfaqësohen të gjithë liderët botërorë, nuk është vazhdimësi e këtij dialogu”.

”Nuk është planifikuar ndonjë takim i vecantë me Vuciq, atje. Me Macron do të ketë takime por sa i përket takimit me Vuciq, nuk është i planifikuar e as i menduar, por se përjashtojë mundësitë që mund ta takojë edhe atë pasi aty janë pjesë edhe liderë të shumtë botërorë”.

”Jam i përkushtuar që të vazhdohet të punohet në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, në të njëjtën kohë edhe bashkangjitja e Luginës së Preshevës”.