Reçica: Nataliteti brengë e të gjithëve, shtesat e fëmijëve shumë shpejt

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, theksoi se kjo nismë po vije në kohën kur ata janë në fund të sjelljes në Kuvend të një dokumenti që ka në të edhe çështjen e shtesave të fëmijëve.

Ai tha se rënia e natalitetit nuk është bërë brengë për arsye të mungesës së buxhetit, por për arsye të marrjes së iniciativave.

“Pa dashje na u është bërë nataliteti brengë e të gjithëve, nuk është dashur të na bëhet nataliteti brengë si rezultat i buxhetit. Gjatë debatit u vërejt qartë që nataliteti nuk qenka bërë brengë e këtij vendi në mungesë të buxhetit, por në mungesë të iniciativave, në mungesë të ndërmarrjeve dhe jo rastësisht sot i referohem një shifre zyrtare nga Ministria e Arsimit që më një shtator kemi pasur në banka 16 mijë fëmijë më pak dhe kjo është shqetësues për të gjithë ne, për secilin qytetar dhe pushtetar, edhe ata që kanë qenë para nesh”, tha Reçica.

Ai tha se dikasteri që ai drejton është në fund të një draft koncepti për reformën pensionale që prek edhe shtesat e fëmijëve.

“Ministria është fare në fund të draftimit të koncept dokumentit për reformën e sistemit pensional dhe në këtë koncept dokument parashihet krijimi I fondit për sigurime sociale në të cilën në një të ardhme të afërt do të instalohet edhe sistemi I shtesave për fëmijë. Sipas të dhënave zyrtare numri I fëmijëve në moshën 0-14 mund të jetë rreth 450 mijë fëmijë”, theksoi ai.

Reçica ka thënë se duhet të përcaktohet qartë mënyra e financimit dhe mbulimit të kostos për pagesën e shtesave për fëmijë.

Ai shtoi se Ministria është duke punuar në këtë koncept dokument në mënyrë që shtesat për fëmijë të realizohen pa ndonjë ngarkesë shtesë për buxhetin e Kosovës.

Pas përfundimit të kësaj pike, seanca u mbyllë meqë nuk pati kuorum për ta votuar rezolutën e propozuar. Kjo rezolutë do të futet në rend dite në seancën e ardhshme. /FaktePlus/