Rrugëtimi i Kosovës për në INTERPOL

Kosova vazhdon të mbetet jashtë organizatave më të mëdha ndërkombëtare të sigurisë, INTERPOL dhe EUROPOL, ndonëse kanë kaluar dhjetë vite nga shpallja e pavarësisë së vendit.

Ani pse vendi ynë ka aplikuar disa herë për anëtarësim në këto dy mekanizma të sigurisë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Por, në mars të këtij viti me shumicë votash, në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të Interpolit në Lion të Francës, u vendos që Kosova të jetë sërish në agjendë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Asambleja e përgjithshme e INTERPOLIT do të mbahet në nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të cilën Kosova synon që të bëhet anëtare e barabartë e kësaj organizate të policisë.

Kosova kishte aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në mekanizmin ndërkombëtar policor, INTERPOL.

Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin.

Por, përderisa Palestina dhe Ishujt Solomon ishin pranuar në këtë organizatë, Kosova kishte tërhequr kandidaturën e saj, nga pasiguria se do të siguronte votat e mjaftueshme për pranim.

Më 21 shtator të vitit 2017, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përmes një komunikate për media, kishte njoftuar  se Kosova ka hequr dorë nga procesi i anëtarësimit në INTERPOL për atë vit.

Ndërsa me 9 nëntor të vitit 2015, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e UNESCO-s për mungesë të tri votave në favor të pranimit të saj.

Kujtojmë se për pranimin e Kosovës në INTERPOL nevojiten dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse.