Tre të akuzuar për vrasjen e gazetarit sllovak

Prokurori i shtetit i Sllovakisë akuzoi tre persona për vrasjen e qëllimshme të gazetarit hulumtues, Jan Kuciak, dhe të së fejuarës së tij, në muajin shkurt.
Një zëdhënëse e prokurorit tha se të tre ata janë arrestuar të enjten, pas bastisjeve në një shtëpi.

Pesë të arrestuar të tjerë, gjatë bastisjeve të njëjta, janë liruar, tha zëdhënësja.

Jan Kuciak është gjetur i vdekur së bashku me Martina Kusnirovan në shtëpinë e tyre pranë kryeqytetit sllovak, Bratisllavë, në muajin shkrurt.

Ata kanë qenë të dy 27 vjeç.

Autoritetet kanë thënë se besojnë se vrasja ka pasur të bëjë me punën e Kuciakut si gazetar, i cili në atë kohë ka qenë duke hetuar korrupsionin në nivel politik.

Vrasja e tij ka shkaktuar protestat më të mëdha në Sllovaki që nga rënia e komunizmit në vitin 1989 dhe krizë të madhe politike që ka çuar në rënien e Qeverisë së kryeministrit Robert Fico në muajin mars.