Hoti: Jemi të gatshëm për konsensus për dialogun, nëse votohet Rezoluta ku thuhet se Kosova është e pandashme

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka theksuar partia e tij është e gatshme që të arrijë konsensusin për dialog, nëse sipas tij votohet rezoluta ku thuhet se territori i Kosovës është i pandashëm.

Kështu ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Ai më tutje ka thënë se thirrjet për unitet përballë Serbisë dhe akuzat se opozita po e pengon unitetin janë të pasinqerta.

“Ftesat në stilin ‘të ulemi bashkë dhe të krijojmë një konsensus që të përballemi me Serbinë’ janë vetëm përpjekje për ta mbrojtur ‘status quon’ ku pakica jo legjitime është në pushtet dhe institucionet janë jo funksionale”, ka shkruar Hoti.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së:

Thirrjet për unitet përballë Serbisë dhe akuzat se opozita po e pengon këtë unitet janë të pa sinqerta. Ftesat në stilin “të ulemi bashkë dhe të krijojmë një konsensus që të përballemi me Serbinë” janë vetëm përpjekje për ta mbrojtur ‘status quon’ ku pakica jo legjitime është në pushtet dhe institucionet janë jo funksionale.

Legjitimiteti demokratik i bartësve të institucioneve në këto rrethana është shumë i rëndësishëm. Legjitimiteti nuk mund të burojë nga thirrje të tilla jo serioze, por nga vullneti i qytetarëve përmes zgjedhjeve të lira. Vetëm zgjedhjet e lira prodhojnë qeverisjen legjitime dhe institucione funksionale.

LDK-ja është e gatshme t’i prijë arritjes së konsensusit për dialogun. Le ta nisim këtë konsensus me miratimin e rezolutës në Kuvendin e Kosovës të kërkuar nga opozita, ku thuhet qartë e thjeshtë se “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës.” Le ta vazhdojmë pastaj këtë përpjekje për konsensus me organizimin e zgjedhjeve të lira për të nxjerrë institucione legjitime.