“Hollywoodi është vatër e keqtrajtimit seksual të fëmijëve”

Showbiz25.05.2016 15:52

Aktori Elijah Wood, i cili rolin e parë filmik e ka realizuar në moshë tetëvjeçare, ka lëshuar një deklaratë të rëndë duke thënë se Hollywoodi është një vatër e abuzimit të organizuar seksual me fëmijë.


Gjatë një bisede për Sunday Times, ylli i “The Lord of the Rings” ka treguar se kishte qenë i mbrojtur në fëmijëri, sidomos nga nëna e tij, e cila ia kishte ndaluar të shkonte nëpër ndeja ku bashkëmoshatarët e tij ngacmoheshin. Ato përvoja, ai i ka krahasuar me përvojën e abuzuesit seksual, prezantuesit televiziv, Jimmy Savile.


“Të gjithë jemi rritur pranë Savile. Kjo është dëshpëruese. Por, është e qartë se në Hollywood ka ndodhur diçka më e madhe. Gjithçka ka qenë e organizuar. Ka shumë gjarpinj në këtë industri – njerëz të cilëve u intereson vetëm interesi personal”, është shprehur aktori.


Ai ka thënë se krime të tilla vazhdojnë të ndodhin pa u treguar nga viktimat, të cilat nuk flasin për këto gjëra,.


“Kjo është një tragjedi ndaj përpjekjeve për të gjetur ato çfarë u kanë ndodhur njerëzve të pafajshëm. Viktimat që përpiqen të flasin për këtë ‘shkatërrohen’, ndërsa jeta e tyre dëmtohet pakthyeshëm”, ka shtuar Wood.


Në vitet e fundit janë rritur shumë akuzat ndaj njerëzve në Hollywood për keqtrajtime seksuale. Edhe dokumentari i vitit të kaluar, “An Open Secret”, ofron fakte të ngjashme për keqtrajtimin e fëmijëve në industrinë filmike. 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus