Ja vendi ku vetëtimat bien më shumë në botë

RepublikaPlus05.05.2016 08:55

Liqeni venezuelian i Maracaibos është vendi në Tokë ku bien më shumë vetëtima, me një ritëm prej 233 vetëtimash për kilometër katror në vit, duke i marrë kreun basenit të lumit Kongo. Ky klasifikim i ri është rezultati i 16 viteve vëzhgime të zhvilluara nga misioni i NASA-s, “Tropical Rainfall Measurement”. 


Të dhënat, të grumbulluara nga aparatura LIS (Lightning Imaging Sensor) që është i instaluar në një satelit, janë publikuar në gazetën e Shoqërisë Amerikane të Meteorologjisë nga një grup studiuesish të koordinuar nga Rachel Albrecht, i universitetit brazilian të San Paolo  dhe atij amerikan të Maryland.


Të kuptohet më mirë aktiviteti i vetëtimave dhe të zbulosh se ku dhe kur do të bien më shumë, sipas studiuesve mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë fenomene të tjera meteorologjike si stuhitë.


“Liqeni i Maracaibos ka një gjeografi unike dhe një klimë ideale për krijimin e stuhive”, tha një nga autorët e studimit, Dennis Buechler, i universitetit të Alabamas.


I pozicionuar në pjesën më veriore të Andeve, liqeni i Maracaibos është liqeni më i madh në Amerikën e Jugut. Stuhitë krijohen zakonisht gjatë mbrëmjeve, kur erërat e maleve sjellin mbi liqen ajër të ngrohtë dhe me lagështirë. Këto kushte unike bëjnë që të krijohen rreth 297 stuhi në vit, me një kulm në muajin shtator.


Në botë ka edhe vende të tjera me klimë të ngjashme, vende që goditen shumë shpesh nga vetëtimat, dhe janë gati të gjithë në Afrikë, që ka 6 nga 10 vendet më të goditura, mes të cilëve janë liqeni Viktoria dhe Rift Valley.


Ky studim për më tepër ka konfirmuar se vetëtimat synojnë të bien kryesisht në tokë se sa në oqeane dhe se kulmet arrihen zakonisht në pasdite./ATSH 

 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus