Ja sa mund të rritet niveli i detit për shkak të ndryshimit të klimës

RepublikaPlus30.05.2016 16:02

Nëse ndryshimi i klimës vazhdon, ne mund të presim një rritje më të madhe të nivelit të detit këtë shekull, dhe gjërat vetëm sa do të përkeqësohen në shekujt që do të pasojnë.


Nga: Vivien Cumming


Imagjinojeni veten në një plazh të bukur, kudo në botë. Ndoshta plazhi juaj i preferuar. Dallgët janë duke u përplasur në breg, dielli feks mbi ujë, dhe oqeani sjell erë të freskët. Tani imagjinoni që ky plazh të zhduket përgjithmonë. Niveli i detit është rritur dhe vija bregdetare është zhvendosur në brendësi të tokës me qindra metra, duke përmbytur hap pas hapi të gjithë ish-bregdetin.


Mund të jetë shumë e vështirë të parashikosh transformime dramatike në vende të tilla të njohura, por shkencëtarët që mbështesin dukurinë e ndryshimeve klimatike, thonë se ka dëshmi të shumta se niveli i detit është në fakt në rritje, dhe me një ritëm të shpejtë. Pra, sa lart do shkojnë nivelet e deteve? Dhe cila do të jetë kostoja për komunitetet bregdetare?


Në fillim të shekullit XX-të, shkencëtarët e kuptuan për herë të parë se nivelet e detit qenë duke ndryshuar. Në 1941 gjeofizikanti Beno Gutenberg, analizoi të dhënat e njësive matëse të vendosura vijes bregdetare, dhe vuri re diçka të çuditshme. Gjatë periudhës që ai mekanizëm i besueshëm kishte ekzistuar – rreth 100 vjet – niveli i detit kishte qenë në rritje.


Të dhënat e mjetit matës konsiderohen sot mjaft të pabesueshme, por në vitin 1993 NASA dhe Agjencia Franceze e Hapësirës, dërguan në hapësirë një satelit të pajisur me radarë altimetër. Për rrjedhojë ne kemi tashmë një pamje shumë më të saktë të nivelit të detit në tërë globin. Këto instrumente konfirmuan se niveli i tij është në rritje. Ne tani e dimë se rritja e temperaturës po e shkakton këtë ndryshim.


Për shembull, fizika e thjeshtë na tregon se kur uji ngrohet ai zgjerohet. “Zgjerimi termik në ujërat e ngrohta oqeanike, qe kontribuesi më i madh në rritjen globale të nivelit të detit gjatë shekullit të kaluar”, thotë Xhon Krasting, shkencëtar në Laboratorin Kombërtar Oqeanik dhe Gjeofizikës në Britani. Ky zgjerim termik do të vazhdojë, por ekziston edhe një problem tjetër më i njohur, i cili mund të çojë në ndryshime vërtet dramatike në nivelin e detit në të ardhmen: shkrirja e akullnajave dhe fletëve të akullit që mund të lëshojnë në oqeane sasi të mëdha uji. Sa keq mund të shkojë situata?


Një mënyrë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, është të studiohen ndryshimet e kaluara të nivelit të detit. Gjeologët mund të shqyrtojnë shkëmbinjtë sedimentarë, për të gjetur brigjet e dikurshme, efektivisht duke kërkuar plazhet e fosilizuara të cilat do t’u tregojnë atyre se cila ka qenë lartësia e oqeanit. Disa shkencëtarë studiojnë të dhënat mbi nivelin e dikurshëm të detit tek guackat e organizmave të lashta të varrosura në sedimentet e oqeanit dhe moçalishtet e kripura.


Një periudhë e lashtë me interes të veçantë është Plioceni – rreth 3 milionë vjet më parë.


Sipas Morin Rejmou, shkencëtare e mirënjohur e klimës në Observatorin e Universitetit të Kolumbias në SHBA, “temperaturat në epokën e Pliocenit vlerësohen të ketë qenë 2- 3 gradë ceulsius më të ngrohta se sa vlera e epokës para-industriale, çka do të thotë se ato qenë 1- 2 gradë më të larta nga sot”.


Temperaturat në Pliocen janë të ngjashme me kufirin prej 2 gradë Celsius të ngrohjes të vendosur nga qeveritë në samitin e Parisit vitin e kaluar. Por janë të frikshme vlerësimet, se nivelet e detit në mesin e epokës së Pliocenit shkonin nga 10 deri në 40 metra mbi nivelin aktual. Me fjalë të tjera, “të dhënat gjeologjike thonë se sasia aktuale e ngrohjes do të garantojë rritje domethënëse të nivelit të detit”, thotë Rejmou.


Kohët e fundit kemi mësuar se nuk është vetëm madhësia e ndryshimit të nivelit të detit për të cilën duhet të shqetësohemi, por edhe ritmi i këtij ndryshimi. Një studim i publikuar në mars të këtij vitit ka zbuluar se rritja e nivelit të detit në shekullin e XX-të, ka qenë më e shpejtë se sa në  cilindo prej 27 shekujve të mëparshëm.


Studimi nxjerr në pah ndjeshmërinë ekstreme të nivelit të detit, deri edhe ndaj luhatjeve më të vogla të temperaturës. “Në thelb, kjo rritje e jashtëzakonshme e nivelit të detit ecën paralelisht me një rritje të jashtëzakonshme të temperaturës”- thotë Robert Kop shkencëtar mbi klimën në Rutgers University dhe autori kryesor i studimit.


Një tjetër studim i botuar në të njëjtën kohë, parashikon rritjen e nivelit të oqeaneve në të ardhmen. Autorët përdorën llogaritje të përmirësuara për të parashikuar rritjen e nivelit të detit, dhe arritën në përfundimin se në të gjithë botën mund të presim që oqeanet të kenë një nivel prej 50 cm-130cm më të lartë deri në fund të këtij shekulli, në qoftë se emetimet e gazit nuk reduktohen me shpejtësi.


Të dyja studimet konsiderojnë se ngrohja globale mund të dëmtojë potencialisht shkëmbinjtë e akullt rreth Antarktidës, dhe përshpejtojë shkallës e humbjes së akullit. Ky proces, thonë ata, mund të bëjë që vetëm Antarktida të kontribuojë me rritjen me më shumë se 1 metër të nivelit të detit deri në fund të shekullit – duke sugjeruar se ne mund të shohim një rritje totale prej 2 metrash të këtij niveli deri në vitin 2100.


Një rritje në këtë shkallë është alarmante – por në krahasim me epokën e Pliocenit, kur nivelet e detit mendohen të kenë qenë deri në 40 metra më të larta se tani, kjo shifër është ndoshta çuditërisht e vogël. Arsyeja e këtij ndryshimi është pasiguria kur shikon të kaluarën dhe parashikon të ardhmen. “Teorikisht, nëse shkrin i gjithë akulli mbi planetin tonë, niveli i detit do të rritet me rreth 55 metra”- shpjegon Rajmou – ndonëse shton se ky skenar nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti.


“Herën e fundit kur kjo ndodhi në Tokë, rreth 40 milionë vjet më parë, nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferë mund të ketë qenë aq të larta sa 1000 pjesë për milion, sipas hulumtimit më të fundit. Ndërkohë, nivelet aktuale të  CO2, janë aktualisht pak më shumë se 400 pjesë për milionë.


Por edhe në rast se rritja maksimale e nivelit të detit brenda këtij shekulli nuk ka gjasa të jetë më e madhe se 2 metra si metasare botërore, ajo sërish do të jetë e mjaftueshme për të përmbytur shumicën e zonave të ulëta bregdetare, rritë rrezikun e përmbytjeve dhe zhvendosë miliona njerëz, përveçse nëse ndërtohen diga mbrojtëse tejet të kushtueshme.


Dhe ka diçka tjetër që planifikuesit e mbrojtjes nga deti mund të dëshirojnë që të mbani mend. Ndryshimet rajonale të nivelit të detit mund të devijojnë nga mesatarja globale, kështu që disa vende mund ta pësojnë më keq se të tjerët.


A mund të ngadalësohet rritja e nivelit të detit?


Kop thotë se në parim kjo është e mundur, por vetëm nëse qeveritë dhe individët fillojnë të marrin masa. “Për të ngadalësuar rritjen e nivelit të detit, ne duhet të ndalim rritjen e temperaturës, çka do të thotë se duhet të heqim nga përdorimi teknologjitë që emetojnë në atmosferë dioksidin e karbonit”. Edhe shkencëtarë të tjerë bien dakord, se ky plan është i vetmi opsion i zbatueshëm.


Edhe pse ka patur disa ide të tjera. Një nga këto është pompimi i ujit nga oqeani në brendësi të Antarktidës në mënyrë që ai të ngrijë sërish. Shkencëtarët në Institutin e Potsdamit për Ndikimin e Klimës, e kanë marrë në shqyrtim këtë ide të çuditshme gjeo-inxhinierike në një studim të publikuar në muajin mars të këtij viti. Ata gjetën se uji i pompuar do të kthehet vërtet në akull sikurse shpresohet, po pesha e tij do t’i shtohet shtresës aktuale të akullit në Antarktidë, që me gjasë do të përshpejtojë derdhjen e akullit në oqean.


Ruajta e ujit si akull për 1-mijëvjeçar do të kërkonte më shumë se një të dhjetën e këtij furnizimit vjetor global të botës me energji, për të balancuar normën aktuale e rritjes së nivelit të detit. Pra, ndoshta kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Pra çfarëdo që të ndodhë, reduktimet e emetimit të gazeve serrë janë jetike, nëse synohet që të mbahet nën kontroll rritja e nivelit të detit.


Përveç kësaj, do të jenë të nevojshme investime thelbësore në mbrojtjen bregdetare. Pa këto lloj investimesh, ne mund të përjetojmë një braktisje graduale të zonave bregdetare. Dhe kjo do të çojë në një shkallë të madhe trazirash, nëse kihet parasysh se 44 përqind e popullsisë së botës jeton nga bregu deri në 150 km larg prej tij. /“BBC” 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus