5 presidentët “më të këqinj” amerikanë në kohë lufte

RepublikaPlus22.05.2016 18:20

Nga Robert W. Merry

 

Asnjë vendim presidencial nuk është politikisht më i rrezikshëm, sesa shpallja e një lufte. Kjo për shkak se votuesit janë më të shpejtë e më të egër për t’i kthyer shpinën krerëve të shtetit, kur luftërat shkojnë keq, sesa kur ngjarjet bëhen të mundimshme, në fusha të tjera të qeverisjes. Mjerë për atë president, që e gjen veten në një luftë, të cilën s’mund ta fitojë dot dhe prej së cilës s’mund të dalë, ose kur konstaton se çmimi i luftës i tejkalon përfitimet e premtuara, apo kur mëson se arsyetimi i luftës nuk i reziston më kohës.


Këtu po analizojmë rastin e 5 presidentëve më të këqij, që e morën detyrën kur vendi ndodhej në luftë, njerëz që e çuan vendin e tyre në luftë, ose që vazhduan një luftë të trashëguar, por që gjithësesi nuk mundën të ishin të suksesshëm në synimet e shpallura. Në katër raste, ne mund të shohim çfarë lloj çmimi ata apo partitë e tyre paguan, për mungesën e këtij suksesi. Rasti i pestë, ai i vendimeve të Barak Obamës për luftërat në Irak, Afganistan dhe rajonin e Lindjes së Mesme, mbetet ende një çështje e hapur, se çfarë lloj çmimi do të paguhet.


Nga dyzet e katër presidentë, trembëdhjetë ishin presidentët e luftërave të mëdha, katër prej tyre përmes trashëgimisë dhe pjesa tjetër përmes fillimit të konfliktit. Ata janë: Medison, Polk, Linkoln, Mekinli, Uilson, Frenklin Ruzvelt, Truman (nga trashëgimia dhe fillimi), Ajzenhaur (nga trashëgimia), Lindon Xhohson, Nixon (nga trashëgimia), Xhorxh H.W. Bush, Xhorxh W. Bush (i filluan vetë) dhe Obama (me trashëgimi).


Nga këta, dështimet më të qarta ishin ato të Uilsonit, Trumanit, Xhonsonit, dhe Xhorxh W. Bushit. Obama zë një lloj renditjeje të ndërmjetme, por tek e fundit ai duhet të vendoset në rrethin e atyre, që nuk mundën të ishin të suksesshëm, në menaxhimin e kohës së luftës.


Uilsoni dhe Lufta e Parë Botërore:

Mësimi nga Uilsoni dhe Lufta e Parë Botërore, është se kur presidentët e futin vendin në një luftë, ata duhet të mbrojnë atdheun sa më larg që të jetë e mundur. Lufta e Uilsonit e shkatërroi frontin e brendshëm amerikan, ndërsa ndihmoi gjithashtu në krijimin e kaosit evropian, që ndikoi më pas në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.

 

Në prag të rizgjedhjejes së tij, në zgjedhjet e vitit 1916, Uilsoni fitoi mbështetje të gjerë, për shkak të mbajtjes së vendit të tij larg luftës evropiane. Pastaj, menjëherë pas fitores në zgjedhje, ai kërkoi të fusë vendin e tij në luftë. Për të qenë të ndershëm, ai u përball me një sfidë të frikshme të neutralitetit me bllokadën britanike kundër Fuqive Qëndrore, e cila sikurse theksonte Uinston Çërçill, duhej “të vdiste urie të gjithë popullsinë e (Gjermanisë), burra, gra dhe fëmijë, të vjetër e të rinj, të plagosur dhe të shëndoshë, deri në nënshtrimin e plotë”.


Për t’u përballur me këtë kërcënim serioz, gjermanët ndërmorën sulme të shumta me nëndetëset e tyre, për të penguar furnizimet me municione të Britanisë së Madhe, si dhe luftuar bllokadën. Përballë kësaj situate, Uilsoni në mënyrë aspak të mençur, shkeli parimin e neutralitetit duke respektuar bllokadën britanike, dhe lejuar anijet e saj tregtare të hynin në portet amerikane, duke e bërë kësisoj Amerikën bashkëfajtore në dërgesat e armatimit në Britani. Ai gjithashtu deklaroi se Gjermania do të mbahej përgjegjëse, për çdo humbje amerikane në jetës apo pasuri materiale, nga sulmet e nëndetëseve gjermane.


Sekretari i Shtetit, Uiliam Brajan, e pa se kjo qasje e njëanshme do të çonte SHBA-në drejt luftës. Fillimisht ai e paralajmëroi presidentin Uilson, pastaj dha dorëheqjen në shenjë proteste. Megjithatë, Uilsoni e vazhdoi politikën e tij, derisa mori luftën që e dëshironte. Ngjarjet që rrodhën ishin një tallje e nocioneve të tij mendjelehta, rreth Amerikës si një “dritë që do të ndriçojë të gjithë brezat, dhe udhëheqë njerëzimin drejt qëllimimeve të drejtësisë, lirisë dhe paqes”. Në vend të kësaj, pasi theu bllokadën ushtarake në kontinentin e vjetër dhe nxiti zhvillimin e Konferencës së Paqes në Versajë, ai doli kundër disa forca të fuqishme nacionaliste që personifikoheshin nga të pamëshirshmit, krerët e Francës dhe Britanisë, Zhorzh Klemanso dhe Dejvid Lloid Xhorxh. Në mënyrë të pashmangshme, idealizmi i tij u përqesh nga realitetet gjeografike, diferencat mes fuqive, pasionet kulturore, dhe interesat kombëtare.


Shumë studiues kanë argumentuar, se Gjermania u shtyp nga forca e aleatëve, me një ashpërsi të tillë, saqë një luftë e mëvonshme u bë e pashmangshme. Në librin e tij “Largimi i Mbretit”, historiani Riçard Uot shkroi: Emri i vetëm, i lidhur në mënyrën më të pazgjidhshme me Traktatin e Versajës, dhe për pasojë me dështimin e tij, ishte ai i Tomas Udrou Uilsonit. Ëndrrat e një bote me popuj të lumtur, secili i grupuar tek një entitet i shtetësisë së vet, dhe që jeton në vendin e vet historik dhe gjeografik, tani shihen si dëshira idiote, që nuk mund dhe as nuk do të jenë të vërteta ndonjëherë”.


Por, ndërkohë, lufta thërrmoi edhe frontin e brendshëm në Amerikë. Ekonomia kombëtare doli jashtë kontrollit. Inflacioni u rrit në dy shifra. Prodhimi i Brendshëm Bruto filloi të bjerë, me asnjë rritje në vitin 1919, një rënie prej 2.24 përqind në 1920, dhe një rënie të mëtejshme prej 4.16 përqind, në vitin e fundit të Uilsonit në detyrë në vitin 1921. Liritë civile u shkelën në mënyrë flagrante nga Prokurori i Përgjithshëm famëkeq, Miçëll Palmer.


Pati trazira të mëdha nga protestat e dhunshme të sindikatave të punëtorëve. Por ato që kontribuan në paraqitjen e tij më fatkeqe, ishin një seri goditjesh shëndetësore, që e izoluan tërësisht në Shtëpinë e Bardhë. Deri në ditën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 1920, partia e Uilsonit kishte humbur kaq shumë besueshmërinë, saqë e humbi betejën elektorale me një lumë votash, si edhe 63 vende në Kongres dhe 11 në Senat. Vendi ka parë pak rrënime politike të përmasave të tilla.


Xhonsoni dhe Vietnami

Lindon Xhonsoni, që u bë president pas vrasjes së Xhon Kenedit, pa menjëherë implikimet fatale në “rrëmujën e mallkuar”, siç e quajti ai Vietnamin. Ai madje i kerkoi mikut te tij këshilltar, senatorin demokrat të Xhorxhias, Riçard Rasëll, për të kritikuar luftën e Vietnamit në Senat, pasi kështu do të kishte një pretekst për tërheqjen e trupave. Por Rasëll refuzoi, dhe Xhonsoni i hyri një politike, që e rriti angazhimin ushtarak të vendit të tij në Vietnam, duke dërguar nga 16.700 këshilltarë ushtarakë që ishin në fillim, një fuqi të plotë çlirimtare prej gati 540.000 trupash, në një përpjekje anti- guerrilase që dukej se nuk kishte asnjë zgjidhje në horizont. Shumë historianë kanë argumentuar se kjo aventurë, ishte e dënuar të dështonte që në fillim, sepse edhe një superfuqi e tillë si Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ndikonin mbi ngjarjet në një tokë të largët ekzotike si Vietnami. Ndoshta. Por gabimi më i madh i Xhonsonit, ishte pranimi i strategjisë ushtarake të hartuar nga Sekretari i Mbrojtjes Robert Meknamara dhe komandanti i tij në Vietnam, gjenerali Uiliam Uestmorland.


Ata e hodhën poshtë idenë e përfundimit të luftës, dhe përqafuan idenë e një stili të ri luftimi, një vendosmëri për të vrarë aq shumë komunistë vietnamezë, saqë regjimi i veriut të Vietnamit do të detyrohej të hynte në bisedime për një zgjidhje. Kjo ishte një marrëzi.


Ky iluzion strategjik goditi ndërgjegjen amerikane me një forcë shkatërrimtare, sidomos pas ofensivës komuniste të Tetit në janar të vitit 1968, ku 70 mijë vietkongë u lëshuan mbi shtabin amerikan të komandës dhe objektiva të tjera strategjike. Kundërsulmi amerikan u provua se ishte po aq shkatërrues, duke shkaktuar vdekjen e 37 mijë komunistëve dhe vetëm 2.500 amerikanëve.


Por shfaqja e aftësive të komunistëve dhe zgjatja mbi 4 vite e luftës, e shkatërruan oreksin e Amerikës për një konflikt, që tanimë dukej i pashpresë.

 

Xhonsoni, duke parë presidencën e vet gjithashtu të shkatërruar, njoftoi tërheqjen e tij, dy muaj pas ofensivës së Tetit. Barra për të nxjerrë Amerikën nga ky moçal, dhe ndërkohë ruajtur aftësinë e saj për të zhvendosur ngjarjet në Azi në një kohë ndryshimesh të thella rajonale dhe sfidash të forta, ra mbi pasardhësin e Xhonsonit, Riçard Nikson. Është një testament ndaj vizionit dhe aftësisë së tij, që ai arriti të joshë Kinën nga izolimi i saj zemërak, duke zbatuar në të njëjtën kohë një tërheqje delikate e të rrezikshme nga Vietnami, në kulmin e një propagande të frikshme politike në vend.


Xhorxh W. Bushi dhe Iraku

Bush hasi në çdo kurth në rrugën e presidentëve, të cilët vendosin të çojnë vendin e tyre në luftë. Së pari, ai përqafoi doktrinën e luftës parandaluese, e cila shtoi të gjitha rreziqet e tjera, sa kohë që një luftë e tillë është më e vështirë për t’u justifikuar në aspektin filozofik. Duajt Ajzenhaueri e hodhi menjëherë poshtë konceptin e luftës parandaluese, dhe tha se do të nxirrte nga zyra çdo person që do t’i sugjeronte diçka të tillë.

 

Tjetra, është se Bush u angazhua në luftën e Irakut, me justifikimin se Sadam Hyseini zotëronte armë të shkatërrimit në masë dhe kishte lidhje me grupet terroriste, megjithatë këto teza nuk mbajtën shumë. Kjo i dha kritikëve të luftës një argument më tepër për të sulmuar politikat e tij. Përveç kësaj, sikurse Uilsoni, ai ofroi një tabllo të asaj se çfarë lufta e tij do të arrinte, çka gjithashtu u provua se ishte foshnjore dhe fantastike.

 

Ai e shiti luftën si një iniciativë për të krijuar një parim të ri demokratik në zemër të Islamit, duke i hapur rrugën një epoke përparimi dhe stabiliteti në rajon. Me përjashtimin e mundshëm të Udrou Uilsonit, asnjë president tjetër nuk e ka mbështjellë përpjekjen e tij të luftës, në një fshikëz idealizmi kaq të pavlerë.

 

Përfundimisht, ai arriti pak stabilitet me të ashtuquajturën rritje, por që konsistonte në negociimin me forcat sunite, shumë më tepër sesa tek çdo sukses serioz ushtarak. Në fund, ai thjesht njoftoi një plan kohor për tërheqjen nga Iraku, me shpresë se gjërat do të mbeteshin relativisht të qëndrueshme në atë vend, të cilin ai e kishte ngritur tërësisht në këmbë. Sigurisht, nuk ndodhi. Më shumë se kaq, destabilizimi i Irakut u dëshmua të jetë ngjitës në rajon, dhe lufta e Bushit i ndihu rritjes së pasioneve dhe konflikteve, që kanë shpërthyer më tej trazirat sektare dhe nxitur rritjen e llojit të radikalizmit islamik, që ishte në fakt armiku i vërtetë i SHBA-së pas sulmeve të 11 Shtatorit. Ashtu si Uilsoni dhe Xhonsoni, dështimi i Bushit e shkatërroi partinë e tij në zgjedhjet që pasuan, ndërsa populli amerikan e shprehu vrullshëm zemëratën ndaj marrëzisë së tij.


Truman dhe Koreja

Trashëgimia e presidentit Truman ishte vërtet heroike, me politikat dhe nismat që shkaktuan një tranzicion të qetë nga Lufta e Dytë Botërore në paqe, duke vendosur bazat për një përpjekje të suksesshme për ekulibrimin e ambicjeve sovjetike, veçanërisht në Evropën Perëndimore. Por ai luftoi në mandatin e tij të dytë, dhe veçanërisht me luftën e tij koreane.

 

Është e vështirë të vësh në dyshim arsyetimin e Trumanit, për të hyrë në luftën, e kryer zyrtarisht nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, dhe ku u duk se ajo po drejtohej me sukses, pas zbarkimit të shkëlqyer të gjeneralit Dagllas Mekartur në Inçon, duke ndarë më dysh forcat komuniste dhe hapur rrugën trupave të tjera amerikane, për të përparuar drejt kufirit Koreano-Kinez.

 

Por gjithçka ndërroi kahje, kur Kina dërgoi 300 mijë trupa, për t’i testuar në betejë kundër trupave amerikane dhe atyre të Koresë së Jugut. Kjo çoi në një bllokim të zgjatur e të dhimbshëm, dhe për dy vitet që pasuan Trumani zhvilloi një luftë që s’mund ta fitonte, as nuk mund të tërhiqej, dhe as mund t’i lejonte vetes t’a humbiste.


Gjatë kësaj kohe, Uashingtoni u përball me perspektivën e dyfishtë të një humbjeje shkatërruese strategjike, apo një lufte botërore. Nga periudha kur Trumani hyri në vitin elektoral 1952, vlerësimi i mbështetjes ndaj tij ra në 23 përqind-ende sot pika më e ulët e vlerësimit për të gjithë presidentët, qëkur filluan të praktikohen sondazhet-dhe ishte e qartë se ai nuk kishte asnjë perspektivë për drejtimin me sukses për një mandat të dytë të plotë.


Pasardhësi i tij, Ajzenhaueri, gjeti shpejt një zgjidhje të negociuar, duke hequr dorë nga të gjitha pretendimet e tij dhe pranoi komunistët e Koresë së Veriut. Por trupat amerikane mbeten në Korenë e Jugut edhe sot e kësaj dite, si një testament për rezultatin e përzier, dhe një episodi të trishtuar ushtarak në historinë e SHBA.


Obama dhe Iraku/Afganistani:

Në një kuptim, mund të ngjajë e padrejtë ta vendosësh Obamën në një grup me presidentët e tjerë të kohës së luftës.


Së pari, ai nuk i filloi këto luftëra, por i trashëgoi ato nga Xhorxh W. Bushi. Së dyti, situata që ai trashëgoi nuk u përkeqësua në llojet e rrëmujave që kanë karakterizuar tregimet e tjera të dështimeve presidenciale.


Së treti, ndoshta thotë diçka në lidhje me historinë e kohës së luftës së Amerikës, se një përpjekje për të listuar 5 presidentët më të pafat të kohës së luftës, tërheq në vorbull një njeri si Obama, rekordi i kohës së luftës të të cilit, e vendos vetëm pak në kategorinë e dështimit. Në anën tjetër, presidenti justifikohet, duke u bazuar tek ajo që trashëgoi me marrjen e detyrës, dhe as nuk e përcakton suksesin e tij mbi punët e paraardhësve. Obama trashëgoi një rrëmujë; detyra e tij ishte ta pastronte atë; në fakt situata u përkeqësua para syve të tij, jo vetëm në Irak dhe Afganistan, por edhe në rajonin përreth. Mos harroni sesi Niksoni tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Vietnami, ndërsa i dha fund izolimit kinez dhe forcoi kapitalizmit demokratik në Azi. Ai pati sukses, pasi kishte një strategji të madhe për rajonin. Përkundrazi, Obama nuk ka zhvilluar kurrë një strategji koherente për Lindjen e Mesme. Ai e përqafoi idenë e ndërtimit të demokracisë në Afganistan, por vendosi një afat kohor për përfshirjen e tij atje.


Ndërtim i demokracisë nuk funksionoi asnjëherë, por veçanërisht po dështonte, kur forcat e prijësve të vjetër talebanë dhe lëvizjeve të tjera sektare, e dinin se ajo që duhej të bënin ishte të prisnin ndërhyrjen. Politika nuk kishte kuptim, dhe ka pak vend për të treguar për të. Sa për Irakun, ka ndonjë të vërtetë në argumentin e të djathtës amerikane, që Obama trashëgoi një situatë relativisht të qëndrueshme, që u kthye e paqëndrueshme nën drejtimin e tij. Kjo nuk mund të jetë plotësisht e drejtë, duke pasur parasysh se ishte Xhorxh W. Bushi, i cili shkaktoi një furtunë rajonale me pushtimin e tij në Irak.


Por politika nuk është gjithmonë e ndershme, gjeopolitika edhe më pak. Dhe ishte përgjegjësia e Obamës, për të ruajtur nivelin e stabilitetit të trashëguar. Mund të jetë një çështje e diskutueshme, nëse lënia e një force ushtarake në Irak, si një shfaqje e vendosmërisë amerikane, do të kishte siguruar një stabilitet të tillë.


Por ai duhet të ndiqte çdo politikë, që mund të kishte ndërtuar, mbi atë që trashëgoi. Që ai nuk ia doli, kjo ndoshta lidhet me konfuzion tij të dukshëm, mbi atë që duhej të ishte filozofia e tij politike në rajon. Ai ndihmoi në destabilizimin e Libisë, kur Muamar Gedafit ndodhej nën një presion të brendshëm, por qëndroi larg kur presidenti i Sirisë Bashar Al- Asad, hasi në një revoltë të ngjashme. Ai hezitoi për një kohë të gjatë, kur aleati i SHBA-së Hosni Mubarak, u përplas me trazirat në Egjipt, pastaj qëndroi kryesisht i heshtur, kur Egjipti u vu nën kontrollin e parë të “Vëllazërisë Myslimane” dhe pastaj ra në duart e oligarkisë së vjetër ushtarake.


Ai u tall me rëndësinë e kërcënimit të ISIS-it në Siri dhe Irak, dhe vetëm më pas e angazhoi Amerikën në disa operacione degraduese, duke shkatërruar edhe atë forcë me të vërtetë ogurzeze, që dikur kishte fituar një terren të madh në të dy vendet, shumë për habinë e tij. Në fund, ai trashëgoi një situatë të keqe, dhe ajo mori për më keq gjatë presidencës së tij. Kjo nuk është një histori suksesi në kohë lufte. Kështu që ai bie në kategorinë e pesë presidentëve amerikanë, më të këqij në kohë lufte.


• Shënim: Robert W. Merry, eshte nje reporter i politikes ne Uashington dhe autor i librave mbi historinë dhe politikën e jashtme amerikane. /National Interest/

 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus