Vetëvendosje po gjuan me vota, jo me vezë

Radari14.10.2015 16:05
Lëvizja Vetëvendosje s’e ka ndërmend të shkëputet prej politikës së vezëve. Kishin provuar metoda të ndryshme për ta ndikuar politikisht opinionin publik dhe për t’i poshtëruar rivalët politikë, që nga karikaturat, deri te aksionet simbolike, me të cilat dikur synonin ta bënin diferencën politike mes tyre dhe të tjerëve, por nuk ju eci edhe aq. Provuan edhe me viktimizime si deputetë, por edhe me rrugë institucionale në Kuvend, ku ndonjëherë me veprimet e tyre politike dilnin edhe shumë përtej etikës që do duhej ta kishte një deputet, por megjithatë përsëri pa efekt.

Duke e parë veten në një udhëkryq politik me risk të madh për t’u tkurrur si subjekt politik dhe duke parë një partneritet në rritje ndërmjet dy subjekteve më të mëdha politike, Vetëvendosje po e shfrytëzon shumë mirë pozicionin e saj superior opozitar krahasuar me partitë e tjera të opozitës dhe me përshkallëzimin e veprimeve të dhunshme po provon dhe provokon të tensionojë situatën politike. Kjo Vetëvendosjes i duhet për të mobilizuar masë për protesta, sepse ndryshe nuk mund të stimulohet dhe përdoret instinkti i turmave. E për ta jetësuar strategjinë e saj, asaj i nevojitet të shpërthej dhuna dhe në të të përfshihen edhe deputetët e partive të tjera.

E bindur se vetëm kjo mënyrë i ka mbetur, Lëvizjes Vetëvendosje nuk i interesojnë as zgjedhjet e jashtëzakonshme si të vetme, sepse e dinë që vendnumëron, por ajo po bën përpjekje që me “revolucion” ta dërgojë vendin në zgjedhje, duke pretenduar të krijojë një momentum më të mirë dhe një frymë më të madhe anti-qeveri, e cila asaj do t’ia jepte një infuzion më të madh politik.

Sesi do të ecën më tej, mbase është edhe herët që të parashikohet tash, megjithatë edhe pse Vetëvendosje po luan lojëra politike me rrezikshmëri të madhe dhe ato po janë shumë mirë të organizuara dhe të kombinuara, ekziston edhe një problem i madh për të, sepse deputetët e shumicës dhe qeveritarët po përmbahet edhe përtej kufijve të normales dhe nuk po bien në lojërat e saj. 
Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Republika Plus