Seanca e dhunës

Radari22.10.2015 19:58

Kuvendi i Kosovës pritet që sërish të shndërrohet në burim të dhunës me instalacione politike. Sërish do të kemi vepra të dhunshme të artit politik, pjellë e imagjinatës së zhvilluar të përfaqësuesve të popullit në Kuvend – të cilët nuk kanë mandat prej popullit për të prodhuar edhe dhunë.

 

Spekulimet tashmë kanë filluar. Natyrisht që as nesër nuk do të mungojnë vezët, tashmë sinonim i impotencës së opozitës për të rrëzuar Mustafën e Thaçin dhe dërguar vendin në zgjedhje, le të themi demokratike, që në kushte normale do duhej të mbaheshin dikur në vitin 2018. Por, më ndryshe prej seancave të kaluara që ishin mbajtur në mëngjes, kësaj radhe shfaqja do të bëhet në terr. Kjo duket se do të trimërojë edhe më shumë deputetët për të marrë me veti vezët dhe për të përdorur edhe mjete të tjera në emër të popullit.

 

E në shehër, populli veç ka filluar të flas, se nesër do të përdoret sërish gazi lotsjellës. Dikush prej popullit po thotë edhe topa të tenisit si bombola ndezëse. Megjithatë, të rrallë janë ata që se dinë edhe në popull, se krejt këto po bëhen për ta nisur me dhunë brenda dhe për ta transferuar pastaj dhunën jashtë, te sheshi, te sheshi. Por, në anën tjetër kanë qarkulluar edhe fjalë se deputetet problematik edhe do të përjashtohen përkohësisht nëse nesër bëjnë sherre dhe do të nxirren jashtë nga policia. Dhe e rastësishme nuk shihet as shkuarja e ambasadorit amerikan, sot në Kuvend.

 

Sidoqoftë, kjo  pritet të dëshmohet!

 

Deri atëherë një gjë është e sigurt: Kosova do të përjetoj sërish spektakël. E spektakli do të ishte dëmi më i vogël që do të mund t’i bëhej shtetit dhe imazhit të këtij populli, në emër të të cilit po flet secili që po i teket, duke pasur parasysh atë që është thënë këto ditë për të premten - të premten e përgjakshme!

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus