Rreth Gjykatës Speciale të përbashkuar

Radari11.01.2016 00:35

Vetëm tre vite më parë, sikur edhe Anton Çeta të ngrihej nga varri, vështirë se do t’i ulte në një sofër Albin Kurtin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn. 


Urrejtja mes këtyre tri figurave ishte më e madhe se gjenialiteti i Çetës për të pajtuar të hasmëruarit. Në periudhën e pasluftës Kurtin, Haradinajn dhe Limajn i bashkonte vetëm qielli, gjithçka nën të i ndante.


AAK-ja e Ramush Haradinajt mbështeti negociatat për statusin e Kosovës, të cilat Kurti i urrente, mbështeti Pakon e Ahtisaarit të cilën Kurti e mallkonte. Në ditën kur përkrah Albin Kurtit u vranë Arben Xheladini e Mon Balaj, në Kosovë qeveriste LDK-ja së bashku me AAK-në e Haradinajt.


Por, edhe Haradinaj ishte i zëshëm ndaj Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e quante anarkiste dhe të afërt me grupime radikale të islamit në Kosovë. 


E njëjta ishte edhe mes Fatmir Limajt dhe Albin Kurtit, por edhe mes Limajt dhe Haradinajt, të cilët etiketuan njëri-tjetrin për anarki, korrupsion dhe haraç.


Treshja, që sot përbën kokën e opozitës së bashkuar, vetëm pak vjet më parë ishin thellësisht të ndarë. Ata thonë se janë bashkuar për Republikën, kundër Zajednicës, demarkacionit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. 


Madje, Kurti, Haradinaj dhe Limaj kanë përdorur edhe metodat kamikaze për të mbrojtur Republikën e Kosovës, të cilën jo të gjithë e pranojnë, për të mbrojtur nga korrupsioni dhe haraçi, për të cilën vetë akuzohen.


Por, duket se është diçka tjetër që i ka sjellë kaq afër njëri-tjetrit këta liderë. Është një kombinim i frikës së Haradinajt dhe Limajt në njërën dhe kauzës së shfrenuar të Kurtit për përmbysjen e Republikës së ‘dytë’ në anën tjetër.

 

Frika e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt

Opinioni publik asnjëherë në këto 15 vjet të pasluftës nuk e ka parë Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn kaq radikal në qëndrime. Madje, ata ishin më racional edhe atëherë kur mbaheshin në burgun e Hagës. 


Askush nuk e kishte menduar se do të vijë një ditë kur Haradinaj dhe Limaj do të dalin kundër Amerikës dhe perëndimit. Frika e Haradinajt dhe Limajt duket se ka dy arsye reale. Nuk është as Zajednica, as demarkacioni. 


Është Gjykata Speciale dhe tradhtia e pafalshme e Isa Mustafës. Askush më mirë se Haradinaj dhe Limaj nuk e dinë se çfarë do të thotë të përballesh me një gjykatë ndërkombëtare. Emrat e tyre, por edhe të bashkëluftëtarëve të tyre tashmë janë përmendur nëpër media. 


Por, pak ditë e ndajnë Kosovën nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Holandës për funksionalizimin e Gjykatës Speciale. 


Ajo duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, që tash e disa muaj është i mbuluar nga gazi lotsjellës. E sa më afër që do të jetë ajo ditë, aq më radikale do të bëhet edhe opozita. Gjithashtu, edhe tradhtia e Isa Mustafës ka gjeneruar radikalizmin e Haradinajt dhe Limajt. 


Të dy e dinë fare mirë se një koalicion me Vetëvendosjen, edhe sikur t’i fitonin zgjedhjet, do të ishte e papranueshëm për Amerikën dhe shtetet e tjera mike të Kosovës. Ishte pikërisht kjo arsyeja pse kishte dështuar edhe VLAN-i.


Gëzimi i Albin Kurtit

Për Albin Kurtin vitet 2015 dhe 2016 përbëjnë vitet më shpresëdhënëse për kauzën e tij – përmbysjen e Republikës së Ahtisaarit dhe krijimin e Republikës së tretë. Kurti dëshiron rilindje, rifillim, rikthim në pikën zero. 


Dëshiron që gjithçka të nisë më të dhe përmes Republikës së tretë, të jetësohet bashkimi kombëtar, të cilin 90 për qind e shqiptarëve e dëshirojnë dhe po aq shqiptarë nuk besojnë se do të ndodhë.


Kurti, mllefin e Haradinajt dhe Limajt është duke e konvertuar në energji, në mobilizim. Kurti gjithmonë kishte një retorikë perfekte, por atij i mungonin muskujt kundër qeverive të imunizuara nga ndërkombëtarët.


Kështu Kurti ka bërë bashkë retorikën e përkryer dhe mllefin e Haradinajt dhe Limajt, për të jetësuar ëndrrën e tij – përmbysjen e shtetit të Kosovës, atë që Kurti e quan Republikë e dytë. 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus