Padia si argument politik

Radari03.11.2015 19:57

Pas shprehjes së vazhdueshme të mosbesueshmërisë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, më në fund lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, po del se i beson drejtësisë. Avokati i tij ka njoftuar se do të dorëzojë padi kundër kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri, sipas tij, për deklaratat shpifëse dhënë të përditshmes austriake “Der Standard”.

 

Jorrallëherë në Kosovë padia përdorët nga njerëzit e politikës, si argument politik për neutralizimin e dëmit publik që mund t’iu bëhet atyre kur dikush merr guximin dhe deklarohet rreth të ashtuquajturave “sekrete publike” në Kosovë, që fliten e përfliten në popull. Asnjëri prej tyre nuk mërzitet për vendimin pastaj, por e rëndësishme është që në mungesë të argumenteve të “mbytet” sa më shpejt lajmi i keq për ta!

 

E, as qasja e Haradinajt këtë radhë nuk ndryshon aspak. Por, të merremi me “sekretet publike” dhe jo me padinë. AAK-ja gjithnjë është shikuar si parti e haraçit nga pjesa dërrmuese e popullsisë. Madje, kështu e kishin quajtur edhe krerët e Vetëvendosjes dhe jo vetëm Gazmend Muhaxhiri, ndaj të cilëve asnjëherë nuk kishte iniciuar padi. Një kohë edhe vetë ishin munduar që ta pastrojnë damkën e haraçit të etabluar në imazhin e tyre prej pasluftës, por krejt ajo që patën dëshmuar është që se kishin aspak seriozisht. U patën munduar ta “shpërlajnë” veten edhe me rastin e Pandorës, të cilës faktikisht i dihej pronari që nga viti 2005. E patën shfrytëzuar këtë rast, duke thënë se ashtu qysh ia keni huqur me Pandorën, ia keni huqur sa herë që na keni akuzuar, por s’iu funksionojë as kjo. Pas humbjes në zgjedhje, e nisën si blof politik një iniciativë tashmë të harruar për pastrimin e partisë, i larguan 2-3 zyrtarë të AAK-së, të cilët edhe ashtu po i braktisnin, sepse kishin filluar të kokëtojnë me të madhe me subjekte politike të tjera. Nuk zgjati as një muaj dhe u harrua edhe kjo iniciativë e tyre. Madje, tash sigurisht e ka harruar atë edhe vetë Haradinaj.

 

Sidoqoftë, në këtë rast, e veçanta e padisë së Haradinajt nuk është vetëm dëshmi e besimit të liderit të AAK-së në drejtësinë tonë, për të cilën gjithnjë ka shfaqur mosbesim, por është edhe edukimi politik që po shpërfaq me këtë veprim. Kjo bëhet edhe më e theksuar, kur jo më larg se një javë më parë, ishte po Haradinaj ai që demonstroi një paedukatë të madhe politike me sjellje prej kauboji dhe me fjalor rruge në Kuvend, kundër Policisë së Kosovës.

 

Kjo sjellje nuk është e panjohur për shumicën e autoriteteve të sigurisë dhe atë përveç policisë, e njeh edhe KFOR-i, i cili në të kaluarën është marrë edhe me hetimin e arrestimit dhe rrahjes së tij prej njësisë ruse, menjëherë pas lufte! 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus