Opozita i gëzohet fshehurazi zgjedhjes së Thaçit president

Radari18.02.2016 23:22

Ka shumëçka në politikë, që ndryshe ndjehet dhe krejt ndryshe shpërfaqet, sepse të rrallë janë politikanët që flasin me sinqeritet. Manipulojnë e gënjejnë. Thonë që s’e duan një zgjedhje, por në realitet edhe atë që e thonë e kalkulojnë dhe shpeshherë edhe ato që i duan - i kundërshtojnë, sidomos kur e dinë që s’mund t’i ndalin.

 

I tillë është edhe rasti i zgjedhjes së Thaçit president!

 

Ndonëse në publik opozita po paraqitet si kundërshtuese e madhe e zgjedhjes së tij president, në realitet është zgjedhja që ata më së shumti e duan. Madje, edhe luten që të ndodhë. Është zgjedhja nga e cila më së shumti edhe përfitojnë. Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit tash vetëm janë duke i “mprehur dhëmbët” për të “kafshuar” elektorat të PDK-së. Është zgjedhja nga e cila përfitojnë politikisht edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja, sepse vetëm pas largimit të Thaçit prej PDK-së, i cili herën e fundit i vetëm i ka mundur në zgjedhje, këtij subjekti politik mund të fillojë t’i shkëputet elektorati besnik dhe të orientohet drejt tyre.

 

Fshehurazi edhe i gëzohen shkuarjes së Thaçit president, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta heqin prej rrugës njeriun që s’i ka lënë me e pa diellin e tyre politik dhe i ka mundur sa herë që ka pasur zgjedhje, që shtatë vite radhazi.

 

Pse po sillen kështu?

 

Inati.

 

Është inati politik, ai që po i shtynë të sillen dhunshëm ndaj një zgjedhjeje që edhe vetë e duan, por që janë të vetëdijshëm se edhe nëse s’do ta donin - nuk do të mund ta ndalnin. Krejt çfarë mund të bëjnë është të mundohen që ta përdhosin zgjedhjen e Thaçit president, duke e luftuar politikisht deri në inaugurimin e tij si veprim i fundit, që pastaj të kenë mundësi ta përdorin politikisht, ashtu siç e kanë përdorur gjithnjë edhe “zarfin” e presidentes Jahjaga, sa herë që nuk i janë përshtatur politikisht qëndrimet e saj.

 

Faktikisht, opozita edhe ka arsye të mbajë inate dhe të bëjë përpjekje ta manipulojë opinionin publik, siç edhe po bën, duke u thirrur në disa kauza të rrejshme që as vetë s’i kuptojnë dhe s’kanë asnjë argument të qëndrueshëm për to, sepse që shtatë vite sorollaten poshtë e përpjetë dhe nuk po arrijnë ta fitojnë besimin e qytetarëve për të marrë pushtetin.

 

Kanë arsye dhe arsyeja është, sepse më nuk kanë çfarë të humbin dhe i kanë hyrë kësaj loje të rrezikshme, me kosto të madhe politike edhe për vetë shtetin, duke shpresuar që vetëm në këtë mënyrë mund të ndryshojnë realitetin politik, i cili për shkak të vogëlsisë së tyre politike ata edhe po i kafshon. Realitet politik ky, që atyre po i shërben si pasqyrë për ta parë vogëlsinë e tyre, i cili po i nervozon deri në tërbim politik. Kanë arsye, sepse brenda rregullave të lojës politike gjithnjë kanë dalë të humbur dhe tash po mundohen që ta ndryshojnë jo vetëm lojën, por edhe tregimin për lojën. Po mundohen të krijojnë momentum dhe klimë të favorshme pro tyre, duke taktizuar rrezikshëm, sepse i dinë të bëmat e vetes dhe e dinë që herdokur do të japin llogari për to dhe po mendojnë që duke shfaqur potencial të madh destabiliteti, i marrin të tjerët seriozisht dhe në emër të stabilitetit amnistohen prej mëkateve të tyre.

 

Politika është bërë tregti dhe politikanët s’e kanë aspak problem që ta tregtojnë edhe dinjitetin për interesin e tyre! 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus